Ndërron jetë lehona 27 vjeçare nga Kumanova pas infektimit me koronavirus
Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut informoi se ka ndërruar jetë lehona 27 vjeçare nga Kumanova, pozitive në virusin korona.
“Ajo me 30 mars në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Akusherisë në Shkup ka lindur para kohe një bebe mashkull që ishte negativ në virusin korona. Pacientja më 31 mars u dërgua në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup për shkak se ka pësuar keqësim të gjendjes, dhe më pas ka ndërruar jetë” informon ministria.
Foshnja e saj është në gjendje të mirë dhe nën kujdes intenziv, informon ministria.
Me këtë, numri i të vdekurve shkoi në 3, gjatë ditës së sotme. Gjithashtu, janë regjistruar 18 raste të reja të të infektuarve me virusin korona.
Nga Klinika për sëmundje infektive dhe febrile në Shkup kanë dalë 5 pacientë të shëruar.
Me këtë numri i përgjithshëm i të infektuarve në RMV është 617 persona.