Grenell nuk e komenton emërimin e Lajçakut si emisar i BE-së për dialogun
Zyra e të dërguart të posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell nuk ka dashur që ta komentojë emërimin e Miroslav Lajcak si të dërguar special të Bashkimit Evropian për dialogun.
Zëdhënësi i Grenell, Dick Custin, ka thënë për lajmi.net se Grenell nuk jep koment për këtë çështje.
“Faleminderit për interesimin tuaj, por pyetjet që i keni bërë ju i përshtaten më shumë vetë zotëri Lajcak. Ambasadori Grenell nuk jep koment për këtë”, ka thënë Custin
Miroslav Lajçak, është emëruar përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi pas emërimit të Richard Grenellit nga SHBA-ja.
Debatet që i paraprinë emërimit të Lajçak, kishin nxitur mëdyshje, meqë vendi i tij është një nga pesë vendet evropiane që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ishte shprehur kritik ndaj paralajmërimeve për emërimin eLajçak.
“Misioni i tij është i prirë të dështojë, sepse ai ka punuar që Sllovakia të mos e njohë Kosovën si dhe ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, kishte thënë Thaçi.
Kundër emërimit të Lajcak ishte edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se emërimi i tij do të jetë vetëm një pengesë në rrugën drejt arritjes së asaj qe ai e ka quajtur ‘Finalaja e Madhe’.
“Këshilli i BE-së sapo bëri public emërimin e Lajcak si Përfaqësues Special për dialogun Kosovë-Serbi. Në fazën e finales së madhe dhe nën rolin udhëheqës të SHBA-së, BE-ja është duke e ngadalësuar procesin”, kishte deklaruar kreu i AAK-së.
Ndryshe, vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës emëruan Mathew Palmer si të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, ndërsa pas tij, ambasadori Richard Grenell, u emërua si i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë- Serbi.
Në fillim të këtij viti Grenell, siguroi marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore, hekurudhore dhe për autostrada, në kohën kur kishte filluar viti i dytë i pezullimit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, për shkak të taksës që Kosova kishte vënë ndaj mallrave serbe.
Duke u ndjerë i lënë anash, Bashkimi Evropian u vu në përpjekje që të sigurohet se do të luajë rolin e tij në proces dhe prandaj edhe u hodh ideja për një përfaqësues të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë, gjatë ditës se sotme, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka këmbyer letra me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Kurti përmes kësaj letre është shprehur se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve tona.
Ai tutje në këtë letër ka folur edhe për ekipin dialogues të Kosovës, në të cilin ai e ka vënë veten kryesues teksa pjesa tjetër do jenë anëtarë, përfshirë edhe presidentin Thaçi.
Ndërkaq, Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, ia ka kthyer letrën duke theksuar se është i inkurajuar pasi e ka lexuar letrën e Kurtit, i cili ka thënë se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe procesin e dialogut, dhe është e gatshme të punojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese.