Qaushi: Serbia e mori vendimin për karantinim, Kurti nuk na ndihmoi as moralisht
Situata në veri të Kosovës aktualisht është shumë e ndjeshme. Atje, me një vendim të marrur njëanshëm nga serbët, Veriu i Mitrovicës dhe Zveçani janë futur në karantinë, nga ku është vendosur ora policore e cila më pas është pezulluar. Në lidhje me këto çështje, në një intervistë ka folur asamblistja e PDK-së në Mitrovicë të Veriut, njëherit edhe ish-kandidate për kryetare të kësaj komune, Gonxhe Çaushi.
Çaushi ka thënë se shqiptarët që jetojnë në veri, po e kanë shumë problem të furnizohen me ushqime, për shkak se të njëjtat duhet t’i blejnë në pjesën jugore të qytetit.
Tutje ajo tha se vendimi për karantimin e dy komunave veriore e po ashtu për orën policore në këtë pjesë është marrë nga qeveria e Serbisë dhe se për këtë ajo është e bindur.
“Shqiptarët në këtë pjesë, furnizimet i kanë përfunduar në pjesën jugore të Mitrovicës. Për shkak të gjendjes së orës policore dhe karantimit, është një hendikep për ta sepse po kanë probleme sa i përket qasjes në pjesën e jugut. Qeveria në ikje as nuk e ka ditur që ekziston një vendim i tillë sa i përket orës policore dhe karantimit të dy komunave. Këtë lajm zoti Kurti e ka marrë nga vetë mediat e Serbisë, pra për të ka qenë një befasi. Nëse vet do e kishte marrë një vendim të tillë dhe do e ushtronte ndikimin e tij në pjesën veriore, ai mezi do priste ta bënte lajm këtë gjë dhe ta rrehte tupanin për këtë gjë ashtu siç e ka cekur edhe në videon e tij në Facebook”, ka thënë Çaushi.
Çaushi tutje ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti për neglizhencën që ka pasur për pjesën veriore të vendit, ku sipas saj nuk ka pasur as përkrahje morale.
“Ne nuk kemi pasur madje as një vizitë morale nga qeveria në ikje e lëre më ta kemi ndonjë ndihmë sa i përket pakove ushqimore apo medicinal që do të duhej të furnizohej kjo pjesë”, ka thënë tutje ajo.
Sa i përket hyrjes së mjekëve serbë në territorin e Kosovës, Çaushi ka thënë se nëse qeveria do të konsideronte se veriu i përket tërësisë territoriale shtetërore, atëherë nuk do të duhej të lejohej që personel mjëkësor nga Serbia të vinte në Kosovë.
“Momentalisht nuk kemi asnjë incident sa i përket pjesës së veriut, pra pasigurisë që ata mund ta ushtrojnë në këtë pjesë. Ata mjekë nuk ishte dashur të lejohen në veri të Mitrovicës. Sepse nëse ne e cilësojmë dhe qeveria e cilëson se veriu është pjesë e Kosovës, atëherë ne kemi mjaftueshëm mjekë dhe specializantë për të ndiku dhe për t’i dërgu edhe në pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë ajo.
Asamblistja e PDK-së në këtë intervistë ka folur edhe për gjendjen e sigurisë në veri të vendit, nga ku ka thënë se qytetarët shqiptarë në veri të vendit, gjatë gjithë kohës mundohen që t’i respektojnë vetëm vendimet e qeverisë kosovare, e asnjëherë ato të organeve paralele.
“Ka qenë një hamendësim i banorëve se cilin vendim do të duhej ta zbatonin ata, meqenëse ne jetojmë në pjesën veriore ndërkaq që në anën tjetër do të duhen të respektojnë ligjet e Kosovës. Sigurisht që shqiptarët tentojnë t’i zbatojnë rregullat dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë ai.