Bordi i përkohshëm i Ujësjellësit shkarkon tre zyrtarë të lartë të ndërmarrjes
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka thirr mbledhjen korresponduese (mbledhja elektronike) në të cilën janë miratuar vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë në detyrë.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, pas shqyrtimit nga Qeveria është miratuar Vendimi për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve dhe emërimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A.
Në propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, thuhet se ekzistojnë së paku katër arsye kryesore për shkarkimin e bordit të drejtorëve: 1. Shpërfillja e humbjeve të shkaktuara nga kryeshefi; 2. Mosadresimi i opinionit të Auditorit; 3. Mosadresimi i gjetjeve të auditorit të brendshëm; dhe 4. Emërimi i parregullt i ushtruesit të detyrës së kryeshefit.
Anëtarët e rinj të bordit të KRU “Prishtina” janë: Mentor Hyseni, kryesues dhe drejtor; Hajrie Morina, drejtore; Seat Bilbani, drejtor; dhe Idriz Maliqi, drejtor.
E anëtarët e bordit të përkohshëm, në mbledhjen e mbajtur, kanë shkarkuar zyrtarët e lartë të kësaj ndërmarrje. “Dje është mbajtur mbledhja e bordi, ku prezentë ka qenë dhe ministria Rozeta Hajdari, ndërkaq sot është marr vendimi që të shkarkohen, Kapllan Parduzi, u.d kryshef, Kujtim Xhelilii, zv kryeshef ekzekutiv, si dhe Sokol Duraku, zyrtar kryesor financiar”, ka thënë për gazetën “Epoka e re”, një burim brenda Qeverisë së Kosovës.
Sipas të njëjtit burim, në pozitën e u.d, është emëruar, kryeshef Sokol Xhafa.