Kurti: Muaji prill është vendimtar, s’merremi me ping-pong politik
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në vizitën e tij në Gjilan tha se e gjithë vëmendja e tij është në menaxhimin e krizës së pandemisë.
Ai tha se ka dëgjuar me kujdes kryetarin Lutfi Haziri për problemet që ka kjo komunë në trajtimin e koronavirusit.
“Unë jam shumë i kujdesshëm që si kryeministër në detyrë të mos shpërqendrohemi nga temat e tjera kur s’mund të ketë prioritet tjetër përveç shëndetit publik. Ky takim dhe ai tjetri në komunën e Dardanës do të jenë ekskluzivisht për pandeminë, përkatësisht parandalimin e përhapjes. S’kemi kohë për të humbur me çështjen e ping-ponugt politik. Nuk mund të ketë temë tjetër, kur s’ka prioritet tjetër”.
“Ne tash jemi të angazhuar maksimalisht në luftimin e pandemisë. Nëse do të shpërqendroheshim në frontet tjera do ta dobësonim veten në frontin jetik”.
Kurti paralajmëroi edhe për masa të tjera të kufizimit të lëvizjes pasi që, siç tha ai, bashkë me lëvizjen e njerëzve lëviz edhe virusi.
“Sot do të kemi një takim në qeveri online dhe për këtë edhe minsitri Vitia e njoftoi kryetarin Haziri me atë se si do të vazhdojë me masat ne vijim. Do të kemi masa të kufizimit të lëvizjes, sepse lëvizja e njerëzve potencialisht është lëvizje e virusit. Por, në anën tjetër duhet të krijojmë hapësirën për bizneset tona sepse krahas shëndetit, që e kemi prioritet, duhet të kemi edhe kujdes për shëndetin e ekonomisë, por gjithnjë me këtë renditje”.
Kurti, i pyetur se pse zgjodhi pikërisht komunën që udhëhiqet nga nënkryetari i partisë që inicioi mocionin kundër Qeverisë së tij, tha se s’ka bërë kalkulime të tilla kur ka ardhur në Gjilan.
“Kemi ardhur këtu se e dimë që diku 10 për qind e numrit të gjithëmbarshëm të të infektuarve janë nga Gjilani. Shyqyr që këtu nuk e kemi asnjë rast me fatalitet”.
Ndërsa, Haziri tha se komuna e tij bashkë me krizën e virusit po lufton edhe me atë të ujit, kur më së shumti iu duhet qytetarëve tani. Për këtë dhe tema të tjera ai tha se iu drejtua kryeministrit nga i cili pret veprime.