Detaje se si u infektuan nga shitësit e pemëve nga Malisheva banorët e Krushës
Krusha e Madhe është në alarm për shkak se dy persona nga Malisheva që dolën pozitiv me Covid 19, kishin shitur të premten fidane të pemëve në fshatin e tyre.
Kryetari i Këshillit të fshatit të tyre, Selami Hoti, ka kërkuar nga qytetarët që kanë blerë fidane që të lajmërohen në QKMF.
“Ata kanë shit fidane, kanë rezultuar pozitiv. Ata kanë qëndruar në fshat për dsia orë. Ka ndodhë ditën e premten. Sipas disa të dhënave, janë kthyer nga tregu i Rogovës dhe për 2-3 orë kanë qëndruar këtu. 20 persona kanë raportuar se kanë qenë në kontakt me ta, dhe kemi kërkuar që të vijnë në QKMF në Krushë”, ka thënë Hoti.
Dy shitësit e fidanëve të pemëve nga Malisheva, të cilët kanë rezultuar të infektuar me koronavirus, të premten që shkoi janë arrestuar nga Policia rajonale e Gjakovës si të dyshuar për mospërfilljen e dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë dhe të njëjtit kanë qëndruar në mbajtje për 48 orë, në bazë të urdhrit të Prokurorit të Shtetit.
Duhet theksuar se Malisheva është komuna më e prekur me coronavirus. Aty madje janë shfaqur edhe rastet e para.
Ndërkohë, në Kosovë ka shkuar në 3 numri i të vdekurve, pasi dy persona humbën betejën mëngjesin e sotëm.