Bajrami: Projekti i mësimit në distancë po shënon sukseset e para
Ajo me këtë rast ka falënderuar nxënësit, studentët, prindërit, mësuesit, arsimtarët dhe profesorët e të gjitha niveleve për punën që po bëjnë për të realizuar në praktikë mësimin në distancë.
Postimi i plotë:
Nxënësit, studentët, prindërit, mësuesit, arsimtarët dhe profesorët e të gjitha niveleve meritojnë sot një duartrokitje dhe falënderim të madh për punën që kanë bërë për të realizuar në praktikë mësimin në distancë. Gjithë kjo punë vullnetare po bëhet në kohën kur Kosova po përballet dhe po lufton për çdo ditë për ta mposhtur COVID-19.
Prandaj, shfrytëzoj rastin edhe një herë të ju thërras të respektoni udhëzimet e institucioneve shëndetësore pë r të qëndruar në SHTËPI.
Qëndrimin mbyllur brenda shtëpive dhe banesave po mundohem t’ua bëjmë më të lehtë përmes aktivizimit të fëmijëve tuaj në procesin mësimor.
Kemi filluar javën e tretë të mësimit në distancë. Falë punës së madhe të një ekipi të shkëlqyeshëm sot kemi qenë në gjendje që të transmetojmë 29 njësi mësimore për klasat 1 deri 9, kështu do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim.
Por, projekti i mësimit në distancë nuk kufizohet vetëm në transmetimin e mësimit në RTK. Mësimi në distancë përfshinë të gjithë ata nxënës, studentë dhe mësimdhënës të cilat sot janë në komunikim në baza ditore.
Andaj në emër të MAShTI-it dhe timin personal dua të ju falënderoj gjithë ekipin që projektin e mësimit në distancë tanimë e ka kthyer në sukses.
Ekipi që po merret me prodhimet e video-xhirimeve përbehet nga 120 mësimdhënës dhe staf civil nga MAShTI, DKA e Prishtinë s dhe Prizrenit që janë angazhuar drejtpërdrejt në përgatitjen e materialit mësimor virtual duke punuar çdo ditë në shkollën “Qamil Batalli” në Prishtinë dhe në shkollën “Emin Duraku” në Prizren.
Mësimi në distancë nuk do të ishte i mundur pa angazhimin maksimal të secilit mësimdhënës, duke përfshirë mësuesit e klasave 1 deri 9, të cilët qoftë nëpërmes prindërve, qoftë drejtpërdrejt janë në kontakt më nxënësit e tyre, duke i angazhuar ata të ndjekin orët mësimore në RTK dhe në kanalin e MAShTI-it në YouTube, duke kontrolluar detyrat e shtëpisë dhe duke dhënë angazhime shtesë.
Mësimdhënësit e shkollave të mesme, me angazhim maksimal përmes platformave të ndryshme kanë gjetur mënyrën për të zhvilluar mësimin në distancë.
Raportet që MAShTI ka pranuar nga universitetet publike e private, tregojnë se mësimi në distancë po zhvillohet në mënyrën me të mirë të mundshme, falë angazhimit maksimal të profesorëve dhe stafit tjetër mbështetës.
I gjithë mësimi në distancë nuk do të ishte i mundur pa pjesëmarrjen e nxënësve, studentëve, prindërve të cilët e kanë një rol thelbësor në ketë kohë.
Komunat, përmes DKA-vë, po ndihmojnë shumë në koordinim dhe mbarëvajtje të mësimit në distancë.
Mbështetësit e pakursyer sikurse: OJQ TOKA, AShI, Kallxo, RTK, LinkPlus, GIZ, Banka Botërore dhe shumë vullnetarë të tjerë.
Gjithashtu Kabineti i MASHTI-t, duke përfshirë zëvendësministrin Jusuf Thaçi, zëvendësministrin Xhavit Rexhaj dhe zëvendësministrin Enis Kervan këshilltarët: Lulzim Krasniqi, Ermal Lubishtani dhe Merlinda Ramaj.
Ky ekip prej mijëra vetave është mobilizuar të zhvillojë arsim në distancë, e ky mobilizim në arsim na e kujton mobilizimin në vitet e 90-ta.
Uroj që së shpejti t’i kthehemi normalitetit, por gjithashtu besoj që mësimi në distancë nuk do të jetë vetëm për ditë të vështira si kjo, por besoj që ky projekt do jetë themeli i një projekti të madh të digjitalizimit në fushën e arsimit.
Ju faleminderit të gjithëve dhe qofshi me shëndet!