Ditari i Albinit, 5 prill
Shkruan: Albin Mehmeti
Ende jam nën emocione. Rrallë ndodh që të hyj e të jetoj me personazhet e një filmi. Para pak minutave mbarova së shikuari filmin “Një tregim Prishtine”. Nuk dua ta analizoj regjinë e aktrimin, pasi nuk jam i thirrur për të, por skenarin. Një skenar ndryshe nga filmat tjerë shqiptarë, të cilët janë të mbushur patetizma, ideologji e glorifikime. Skenari i “Një tregim Prishtine” është realiteti i një familje. Është realiteti i Kosovës. Skenari i “Një tregim Prishtine”, si nëntekst duhej të ishte “Një tregim Kosove”. Filmi përshkruan peripecitë e një çifti për sigurimin e parave për vajzën e sëmurë nga leukemia.
Në mes gjithë këtij rrëfimi emocional na shfaqet një njeri, që në plan të parë ana duket si një mesih, një shpëtimtar që Zoti e ka dërguar për ta shpëtuar vajzën, por që realisht është vetë djalli dhe arsyeja e shkatërrimit të një familje dhe të lumturisë së vajzës. Duke ia atribuuar vetit besim të rrejshëm, ai detyron protagonistin e filmit të bëj vrasje në këmbim të parave për shërimin e vajzës. Ky film është tabloja e Kosovës e ditëve të sotme, me shëndetësi të dobët dhe më e rënda me njerëz kriminelë në krye te institucioneve vitale të shtetit. Ne, po e vrasim Kosovën.
Por, këtu nuk mbaron absurdi. Skenaristja godet ashpër ata njerëz që thërrasin në metarrëfime, përmes së cilave mashtrojnë të tjerët përmes tyre, por që në të vërtetë ata shkelin çdo normë morale e humane. Në Kosovën e pasluftës, ata mund t’i takosh çdo kund, në parlament e ministri, në kishë e në xhami, në fshat e qytet, në shkolla e në rrugë. Sheh matrapazë që orë e çast trumbetojnë në patriotizëm a fetarizëm dhe janë të mbushur kalavesh me flamuj e tespih, por sapo t’u vjen mundësia e parë do të vjedhin e grabisin.
Sot, ishte ditë e vranët. Nuk dola edhe aq në oborr. Dita ka filluar t’i ngjajë vitit, jo vetëm nga gjatësia. Tani brenda një dite do të shohësh edhe dy a tri stinë, njëlloj si gjatë gjithë vitit. Sot dhe dje pati raste të reja me virusin korona. Deri tani kemi njëqind e dyzet e pesë të infektuar. Numri i të shëruarve ka arritur në njëzet e tre. Lavdi Zotit!
Të infektuar kemi edhe nga veriu i Kosovës. Që nga dje, ajo zonë është futur në karantinë nga Serbia. Po, po. Nuk po gabohem. Pikërisht nga Serbia. E, si të mos futet. Ata që i zgjodhëm ne për të na përfaqësuar nuk kanë kohë për t’ia kushtuar vëmendjen kësaj plage të Kosovës. Ata po ia gjuajnë topin njëri-tjetrit dhe po mundohen gjithsecili të bëhet më patriot se tjetri. Po akuzojnë e po e shajnë njëri-tjetrin. Shajnë e bërtasin por zgjidhje nuk ofrojnë. Mbase nuk është faji tek ta. Kot iu gjuhemi në qafë. Mbase edhe ne kemi faj. Njëra nga satirat e Domanoviqit mund të jetë shpjegimi i realitetit tonë. Në një fshat mbretëronte thatësi e madhe. Asnjë bereqet nuk rritej. Fshatarët vendosën që të largoheshin nga aty, por kishin një dilemë, kush t’i udhëheqë. Njëri-tjetrit nuk i besonin. Atë ditë në fshat e panë një njeri që erdhi e qëndronte i ulur në skaj të rrugës. Fshatarët këtë e konsideruan bekim nga Zoti. U bë si u bë puna dhe atë e bën udhëheqës. Ata u nisën drejt tokës së shpëtimit.
Por, rruga nuk iu dilte aq mirë, pasi që udhëheqësi filloi t’i fuste në vende me ferra e shkëmbinj. Gjatë kësaj rruge një grua humbi njërin sy dhe një plak e lëndoi këmbën. Gruaja dhe plaku u ankuan. Tre njerëz nga fshati që tani i besonin verbërisht udhëheqësit të tyre, i thanë gruas se për të mirën e popullit nuk është punë e madhe që të humbin të dy sytë, kurse plakun e akuzuan se po gënjente, sepse sipas tyre, ai kishte qenë i tillë gjithnjë. Njerëzit filluan të vdesin, pasi udhëheqësi i fuste në gremina të rrezikshme. Në fund mbeti vetëm udhëheqësi dhe tre njerëzit që i shkonin pas, të cilëve më në fund u erdhën mendtë dhe të lodhur i thanë: “A po e sheh se çfarë në bëre? Shihe se sa pak kemi mbetur.”. Udhëheqësi iu tha: “Unë nuk shoh. Jam i verbër.”.
Të tre shoqëruesit i thanë: “A u verbove rrugës?’’. Udhëheqësi iu: “Ju s’më pyetët. Unë kam qenë i verbër që nga lindja”. Pra, e sheh, i dashur ditar. Ata nuk kanë faj. Ata janë vetë fytyra e pafajësisë. Ne kemi faj. Ne, e kush tjetër. Ata bëjnë bé e rrfé se ne s’i kemi pyetur se a janë të verbër ata apo jo. Ata mund të bëjnë bé e rrfé se kështu ishin që nga fillimi, kleptomanë të rryer. Ata mund të bëjnë bé e rrfé se janë të pafajshëm. Edhe ashtu është. Ne kemi faj. Ne, vrasësit e vetvetes. Ne, vrasësit e Kosovës.