Kryetarja e PDK-së në Veri: Qeveria e Kosovës na la nën urdhrat dhe mëshirën e shtetit serb
Kryetarja e PDK-së në Mitrovicën e Veriut, Gonxhe Çaushi, ka paralajmëruar se në veri të vendit prej një javësh po lëvizin grupe të mëdha njerëzish, siç i cilëson ajo të pazakonshëm.
Ajo thotë se flitet se janë përfaqësues të shtetit serb, të ardhur nga komunat fqinje të Republikës së Serbisë, e madje edhe nga Beogradi.
Çaushi tërheq vëmendjen se veri ora policore po zbatohet tjetër.
Postimi i saj:
Ka një javë që ka veprime dhe lëvizje të grupeve të mëdha njerëzisht të pazakonshëm në Mitrovicë, në pjesën veriore të qytetit.
Flitet se janë përfaqësues të shtetit serb, të ardhur nga komunat fqinje të Republikës së Serbisë, e madje edhe nga Beogradi. Nuk bëhet fjalë vetëm për personel shëndetësor. Thuhet se kanë sjellë edhe pajisje, që nuk kanë lidhje me menaxhimin e pandemisë, ndërsa janë në komunikim tërësisht me komunitetin serb.
Ne, përfaqësuesit shqiptarë dhe jo-serbë në Mitrovicë, nuk kemi asnjë informacion as nga Kryetari i Komunës së Mitrovicës nga pjesa veriore, e as ndonjë ndihmë prej tyre. Përkundrazi.
Një kontakt i Kryetarit të Mitrovicës nga pjesa jugore, Agim Bahtiri, me Kryetarin Goran Rakiq, ka krijuar edhe me tepër konfuzion për qytetarët e veriut, e edhe për ne si përfaqësues të tyre në veri.
Asnjë përkrahje nga Qeveria, por lënie në mëshirë të fatit ose të Serbisë në kohën më të rëndë!
Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme që po proklamohet nga administrata e pjesës veriore të Mitrovicës, si dhe karantinimi i komunës sonë, po konsiderohet veprim konform gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi, pjesë të së cilës po e konsiderojnë veten edhe në këtë situatë të pandemisë.
Gjithashtu, orari i kufizimeve të lëvizjeve në Komunën tonë të Mitrovicës në veri po zbatohet si orar i Serbisë, e jo i Kosovës, edhe nga policia jonë në Mitrovicë. Ky është shqetësim edhe me i madh për qytetarët në pjesën veriore.
Përveç ankthit nga Covid-19, frikës institucionale dhe brengës tonë kombëtare që kemi si qytetarë të Republikës së Kosovës, tanimë po shohim se shteti ynë po na lë në mëshirën e shtetit serb.
Po ashtu, ekziston edhe një tjetër shqetësim: në pjesën veriore orari i kufizimit të lëvizjeve fillon në orën 13:00, ndërsa në pjesën jugore fillon në orën 17:00, që për ne është edhe rrezikim fizik, edhe torturë psiqike.
Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe nga Kryeministri që të marrin masa të shpejta dhe të tregojnë çfarë po ndodh në këtë kohë të rëndë të pandemisë me ne dhe për ne!