Kurti krahason Thaçin me dhelpër: Dhelpa kur i digjej bishti thoshte se po digjet e gjithë bota
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur pas kritikave se Serbia ka shpallur karantinën në veri të vendit, duke thënë se është Ministria e Shëndetësisë, që ka shpallur karantinën në komunën veriore të Mitrovicës dhe të Zveçanit, por thotë se nuk kanë dashur ta shpallin këtë siç thotë me tupan, që të mos e thellojnë krizën shëndetësore me një krizë tjetër.
Kurti më tej sulmon Thaçin, ndërsa shton se presidenti po dëshiron gjakderdhje në terren për ta rikthyer shkëmbimin e territoreve. Madje kryeministri në detyrë e ka përshkruar Thaçin si dhelpër, thotë se po i digjet bishti e po mendon se u djeg krejt bota.
Kurti ka thënë se “atyre që kontribuuan për ndarjen e Mitrovicës dhe e lanë të pazhvilluar e në mjerim për mbi dy dekada mos ju besoni tash kur kërkojnë sovranitet e integritet nga qeveria që e rrëzuan pa i bërë as dy muaj në detyrë”. Kurti e ka krahasuar presidentin Thaçi me “dhelprën që kur i digjej bishti thoshte se po digjet e gjithë bota”.
“Edhe deklarimet e Presidentit që po sillet si njëri nga liderët opozitarë merrni me rezervë e qetësi. E dini thënien e urtë të popullit tonë se kur dhelprës po i digjet bishti ajo thoshte se po digjet e gjithë bota. Dhelpra po e tund bishtin e djegur që të na djegë gjithë vendin tonë. Mirëpo, jo nuk do ta lejojmë”, ka thënë Kurti.