Rukiqi thotë se ekonomia në vend ka stagnuar dhe ka rënie drastike të energjisë
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka folur në KTV rreth situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe rreth aplikimit të masave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi. Koronavirusi, ka bërë që shumë biznese e kompani të mos punojnë.
Rukiqi tha se në bazë të hulumtimeve të ndryshme, mbi 50 për qind të bizneseve nuk janë fare aktive.
“Numri edhe mund të rritet. 120 mijë deri 140 mijë janë të papunë, ka sektorë të mbyllur plotësisht, e që mund të ketë implikime të cilët nuk janë në vendin e punës. Nga fillimi ka qenë një listë e veprimtarive që kanë qenë të ndaluara, si hotele, restorante, kafiteri, shërbimet estetike e deri tek transportet e udhëtarëve”, tha Rukiqi.
Sipas Rukiqit, nuk ka asnjë sektorë që direkt ose indirekt nuk është prekur nga koronavirusi.
“Ka rënie drastike të konsumit të energjisë elektrike dhe të derivateve. Ekonomia ka stagnim të madh në këtë kohë dhe normalisht tash është bërë një dëm. Në bazë të indikatorëve kyç, diku dëmi mesatar ditor është deri 10 milionë euro. Kjo u konfirmua edhe nga BQK-ja sot”, u shpreh Rukiqi.
Kryetari i OEK-ut, tha se në Kosovë ka rënë fuqia blerëse, dhe tash qytetarët kanë prirje për të kursyer e për të mos blerë produkte ushqimore që kryesisht i kanë blerë në javët e para kur në Kosovë nisi përhapja e koronavirusit.
“Ky është vetëm fillimi, më vonë do të vërehen më shumë humbjet. Do të jetë një shok për ekonominë vendore, e madje edhe globale”, u shpreh Rukiqi.
Rukiqi shtoi se në Kosovë, edhe në kohë normale janë bërë improvizime me ekonominë.
“Janë krijuar një sërë masash që sado pak, njerëzve që tash po qëndrojnë në shtëpi, nga ana psikologjike ua ka lehtësuar gjendjen”, u shpreh ai.
Kategoritë sociale që tashmë përfitojnë nga vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, duke i përfshirë në Pako Fiskale, Rukiqi tha se ata veçse kanë qenë duke përfituar. Sipas tij, në raport me këtë pako OEK-u ka ngritur shqetësime.
“Kërkesa jonë bazike ka qenë se ka pasur sektorë që kanë kërkuar kompensim të plotë të pagës për një arsyet shumë të thjeshtë, se sektori publik i ka marrë pagat e plota. Ne jemi të vetëdijshëm për kufizimet ligjore që tash me bë shkurtime te sektori publik, por megjithatë aty duhet bërë shkurtime. Ne kemi kërkuar që nëse ata marrin paga të plota, të paguhet edhe sektori privat”, u shpreh Rukiqi.
Sipas kryetarit të OEK-ut, nuk duhet të ketë diskriminim mes sektorëve në këtë kohë.
“Më pas, te stimulimet ka shumë kategori që nuk janë përfshirë. Kryesisht te sektori privat, psh ata që janë angazhuar në prodhim, ose shoferët”, tha ai.
Rukiqi tha se në të ardhmen, do të ketë më pak remitenca e më pak turizëm, kryesisht të diasporës.
Ai bëri thirrje për mobilizim të Administratës Tatimore, Komisioni që ekziston në këtë pako dhe Shoqata e biznesit, që t’ju ndihmojnë kompanive të fitojnë nga Pakoja Emergjente.
Rukiqi foli edhe për punëtorët e pastrimit që nuk janë përfshirë në këtë pako.
“Shumë sektorë nuk përmenden specifikisht, e di që është një subvencion për ndërmarrjet publike, që në kushte normale s’do ta kisha përkrah, por në këto kushte të jashtëzakonshme duhet sepse u kanë rënë të hyrat. Do të përfitojnë të gjitha subjektet juridike, edhe OJQ-të e bizneset që kanë rënie të të hyrave. Kemi kërkuar të mos përjashtohen qiratë”, tha Rukiqi.
Rukiqi, theksoi se “do të ketë dëme afatgjate te fuqia punëtore”.
“E para do të ketë dekurajim. Ata në sektorin publik do ta marrin pagën e plotë e ata në sektorin privat jo. Kjo do të krijojë diskriminim e padrejtësi, edhe si pasojë e të kaluarës kur në sektorin publik janë rritur pagat. E dyta, kur të hapen kufijtë, shumë punëtorë do ta shohin veten në pozicion të palakmueshëm”, u shpreh ai.
Në fillim të muajit qershor, parasheh Rukiqi, mund të ketë stabilizim.
“Në fund të prillit do të ketë qartësi. Qershori do të na kthejë në normalitet. Në këtë situatë nëse bëjmë veprime të mira tash, bëhet një plan i duhur i rimëkëmbjes ekonomike, atëherë mund të fillojmë cikël të ri dhe e fut në trend pozitiv ekonominë”, tha ndër tjera kryetari i OEK-ut.
Rukiqi, ka theksuar se heqja e tarifës për t’u zëvendësuar me reciprocitet nga Qeveria në detyrë e Kosovës, po zbatohet.
“Edhe serbët kanë filluar të përshtaten me këtë”, përfundoi Rukiqi.