Komuna e Klinës fillon projektin për vizita mjekësore në shtëpi
Nën drejtimin e kryetarit të komunës, Zenun Elezaj, sot është mbajtur mbledhja e shtabit të emergjencës, ku është diskutuar në lidhje me menaxhimin e situatës së krijuar pas përhapjes së virusit.
Kryetari Elezaj theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve deri më tani është në nivel të kënaqshëm, që ka ndikuar në mospërhpjen e virusit në qytetin e Klinës.
Po ashtu, Elezaj theksoi se ndihmë të madhe në menaxhim të suksesshëm të situatës, janë edhe donacionet e shumta që po japin bizneset, organizatat bamirëse dhe qytetarët, të cilët po i shpërndahen familjeve në nevojë.
Me kërkesë të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shtabi emergjent ka marrur vendim që të filloi zbatimi i projektit për ofrimin e shërbimeve mjekësore nëpër shtëpi te pacientët që janë në fokus të këtij projekti.
Drejtori Sejdiu theksoi se përveç kujdesit që i`u ofrohet qytetarëve, ky projekt do t`i kontribuonte pozitivisht edhe minimizimit të turmave në institucionet shëndetësore dhe në qytet.
Megjithëse situata është menaxhuar me sukses dhe Klina nuk ka asnjë qytetarë të konfirmuar me virusin COVID-19, Kryetari i komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, theksoi se nuk duhet të krijojmë komoditet, por duhet të zbatojmë udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe vendimet e institucioneve qendrore e lokale, në mënyrë që të kujdesemi për shëndetin tonë, familjeve tona dhe shoqërisë.