Mitrovicasit dezinfektohen midis sheshit në një kabinë speciale
Qytetarët e Mitrovicës kanë një kabinë më speciale të vendosur në shesh që të dezinfektohen për t’iu shmangur infektimit me koronavirus.
I pari i kësaj komune, Agim Bahtiri, tha se këtë pajisje që e kanë dhuruar djemtë e tij nga Holanda për bashkëvendasit, ia rekomandon edhe komunave të tjera.
“Kjo është një kabinë dezinfektive që është marrë model nga Japonia me një teknologji të avancuar për deizntekimtin e secilit person që hyn aty. E kemi vendosur në shesh për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të dezinfektohen. Çdokush që është kalimtar i kësaj ane do të futet në këtë proces të dezinfektimit”.
“E kemi sjellë në Mitrovicë duke falënderuar djemve të mi në Holandë. Është donacion i djemve të mi. Është e para pajisje e avancuar në Kosovë për këtë proces, prandaj ia preferoj secilës komunë ta bëjë këtë”.
Bahtiri në Klan Kosova tha se i falënderon qytetarët që po i përmbahen rekomandimeve të institucioneve dhe se suksesin e komunës që s’e ka asnjë te prekur nga virusi ia atribuon atyre.
“Në strategjinë për të parandaluar këtë virus i falënderoj qytetarët, mjekët, infermierët dhe policët që po bëjnë një punë të shkëlqyer që jemi në një situatë të mirë. Kemi probleme nga pjesa e veriut dhe për këtë kemi kërkuar nga
Qeveria ta fusin në karantinë veriun. Jemi falënderues për qytetarët që po i zbatojnë rregullat”.
“Komuna ka ndarë 170 mijë euro për trajtimin e kësaj krize dhe ne po shpërndajmë ndihma për ata që kanë nevojë.25 ton miell kanë ardhur edhe nga djemtë e mi. 200 pako janë dhuruar nga Labinot Krasniqi, 100 prej të cilave janë shpërndarë në veri dhe 100 në jug”.
Ndonëse, pak ditë më parë pati një konflikt të ashpër me kryetarin e pjesës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, Bahtiri tha se ato i tejkaluan për hir të luftës së përbashkët ndaj koronavirusit.
“Kryetari këtu është për paqe. Çdo përplasje që vjen nga veriu, ne mundohemi që të ruajmë qetesinë dhe rendin. Ky virus na shtynë që të bëjmë edhe bashkëpunime, sepse virusi nuk njeh racë, dhe kufi. Nuk duhet shikuar se cilit nacionalitet i takojnë, por duhet bashkë ta luftojmë”.
Bahtiri, po ashtu, i doli krah Vetëvendosjes rreth pretendimeve se kanë emëruar militantë partiakë në bordet e përkohshme.
“Vetëvendosje edhe sikur të jetë 100 vjet në qeveri nuk bëhet si PAN. Emërime politike s’janë bërë. Qeveria aktuale dhe forca politike e Vetëvendosjes e ka për detyrë të jetë në shërbim të qytetarëve”.