Arrin në Kosovë testi amerikan që zbulon koronavirusin për pak minuta
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar disa teste për COVID-19, në mesin tyre kemi edhe testin e shpejtë (rapid testing), që mundësojnë testimin dhe dhënien e rezultateve për infektimin me COVID-19 në kohë të shkurtër për pak minuta.
Këto teste të shpejta janë aprovuar tani së fundmi edhe zyrtarisht nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në ShBA.
Me përdorimin e tyre, mostrat nuk kanë pse të dërgohen në laborator qendror për analiza, por analizat mund të bëhen drejtpërdrejt në klinikat e kujdesit shëndetësor, gjë që zvogëlon dukshëm kohën e pritjes dhe rrite mundësinë e parandalimit.
Ky test deri më tani ka pasur një aplikim të gjerë në vendet aziatike, SHBA dhe tani edhe në Evropë, teksa konsiderohet një masë e lire dhe e shpejtë për parandalim dhe identifikim e personave me këtë virus.
Mostrat e para të këtij produkti tani kanë arritur edhe në Kosovë dhe në Shqipëri.
Një sasi e mostrave për testim pilot në Kosovë UBT i ka dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, saktësisht departamentit përkatës për furnizim farmaceutik, me qëllim që të përdoren dhe testohen pacientët e infektuar, apo edhe personat që dyshohet që janë t infektuar për të parë rezultate dhe për të krahasuar metodën aktuale që po përdoret tani për tani zyrtarisht në Kosovë.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi së këto mostra kanë ardhur për herë të parë në Kosovë.
Megjithatë, sipas tij, nëse konsiderohen të arsyeshme profesionalisht nga institucionet shëndetësore të Kosovës, atëherë mund të fillohet me një furnizim me një sasi më të madhe dhe në kohë të shkurtër.
“Jemi në kohën më kritike ku duhet në mënyrë shumë efektive dhe efeciente të shfrytëzohen kapacitetet institucionale dhe bashkëpunimi ndërkombëtar që kemi, sepse vetëm kështu m und të kemi një ndikim më të madh në parandalimin dhe zvogëlimin e përhapjes së virusit, ndërsa një prej faktorëve kritik është edhe numri, shpërndarja dhe shpejtësia e testimeve”, potencoi rektori Hajrizi.
Sasia e parë e testeve të shpejta është mundësuar falë bashkëpunimit të UBT-së me partner ndërkombëtare, si dhe me përfaqësues të Diasporës Shqiptare në SHBA, ku falë investimeve që kanë bërë kanë krijuar edhe ura bashkëpunimi më komapni prestigjioze, bashkëpunim përmes të cilit është krijuar edhe një kanal i furnizimit me këto teste me prioritet Kosovën dhe Shqipërinë.