Ditari i Albinit, 1 prill
Albin Mehmeti
01.04.2020, e mërkurë
Pas disa ditëve, po kthehem përsëri tek ti, i dashuri ditari im.
Mungova për disa ditë, thjesht që unë të ndiej mall për ty e ti të ndiesh mall për mua. Sot, është dita e parë e prillit, e muajit të lindjes sime dhe dy personave të shtrenjtë për mua, të nënës dhe të fejuarës sime.
Në fillim dua që ta dha raportin për virusin korona.
Numri i të prekurve tani ka arritur në njëqind e një çerek (125). Për fat, deri më tani dhjetë janë shëruar. Siç duket, tani jemi duke shkuar drejt ditëve e javëve kritike. Tani, si kurrë më parë në këtë shekull e në këtë milenium gjendemi para një situate ekzistenciale. Të jemi a të mos jemi, kjo është çështja, mbase kështu do të thoshte Hamleti. Sot, ra borë. Nuk po gënjej edhe pse është një prilli. Po. Më të vërtetë ka rënë borë. Madje gjatë gjithë ditës s’është ndalur. Plakat paskan qenë të forta. Ende po vazhdojnë të shkunden.
Në televizor, nuk ka tjetër kryelajm përveç politikës. Siç duket shëndeti i njerëzve tani është në plan të dytë. Pushteti dhe karrigia për të paskrupullit politikanë vazhdon të jetë alfa dhe omega e televizioneve. Mbase, nuk kanë faj. Ai është edhe interesimi ynë. Me rëndësi është që lideri ynë me langonjtë e vet të rehatohet në poste. Ç’rëndësi ka shëndeti jonë dhe i të dashurve tonë. Asgjë. Politika si politika. Politikanët si politikanët. Po vazhdojnë me veprimet e tyre të na fyejnë inteligjencën.
Po vazhdojnë të na matin durimin. Ata për çdo ditë evoluojnë. Rrafshi i tyre i luftës politike tani ka shkuar në luftën për klikime e shikime në rrjetet sociale. Jo, jo. Nuk është ndonjë metodë e re dhe e avancuar përmes së cilës do ta përmirësojnë gjendjen dhe jetën tonë. Asnjëherë. Por, për të në fyer edhe më shumë.
Sot, në media e pashë që janë takuar spektri politik në përpjekje për ta zgjidhur krizën.
U takuan e s’u pajtuan. Si gjithherë. Si dje. Si sot. Madje, edhe si nesër. Asgjë e re. Jemi mësuar me ta tashmë. Teksa shihja edicionin e lajmeve, anash në ekran pashë edhe datën, 1 prill. Hm! Tashmë e di pse s’janë pajtuar për asgjë. S’paska qenë primare zgjidhje e krizës, por paskan dalë për festë. Paskan dalë ta urojnë njëri-tjetrin për festë e tyre, 1 prillin. Nuk është çudi. Nuk duhet t’i akuzojmë se pse festojnë në kohë pandemia.
Edhe ne myslimanët dalim e urojmë njëri-tjetrin për Bajram. Edhe të krishterët dalin e urojnë njëri-tjetrin për Krishtlindje. Të gjithë, pa asnjë përjashtim festojnë. Mohimi i festimit të një feste është shkelje e të drejtave të njeriut.