Hoti: Është formuar grupi i ekspertëve të fushave të ndryshme për rimëkëmbje ekonomike
Ish-zëvëndëskryeministri i Kosovës Avdullah Hoti përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook ka thënë që janë duke marrur hapa lidhur me qështjet ekonomike dhe sociale në Kosovë.
Ai ka thënë se ekspertët po zhvillojnë masa konkrete në mbështetje të ekonomisë, ata që janë në skema sociale dhe ata që mbesin të papunë si rezultat i pandemisë dhe sektorëve të tjerë.
Hoti më tej ka shtuar se edhe për këtë vit edhe vitin tjetër janë marrur masa që do të stimulojnë sektorin privat, dhe do të punojnë në rinkëmbjën e shpejtë të ekonomisë pas situatës së krijuar.
Ky është postimi i plotë i Avdullah Hotit:
Ne tanimë kemi formuar një grup të ekspertëve të fushave të ndryshme, të cilët po bëjnë vlerësimet e pasojave ekonomike dhe sociale që mund të kemi gjatë këtij viti nga pandemia COVID-19.
Bazuar në këtë vlerësime, ekspertët do të zhvillojnë masat konkrete për mbështetje të: ekonomisë private dhe punësimit, ndërmarrjeve publike, bujqësisë, sektorit të prodhimit, mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara të shoqërisë siç janë ata që janë në skema sociale dhe ata që mbesin të papunë si rezultat i pandemisë, e kështu me radhë.
Masat do të jenë gjithëpërfshirëse për sivjet dhe vitin e ardhshëm dhe do të përfshijnë pako të ligjeve që stimulojnë sektorin privat dhe që sigurojnë diskrecion të Qeverisë për të mobilizuar financim adekuat për rimëkëmbje të shpejtë ekonomike.
Qëllimi primar i masave do të jetë mobilizimi i të gjitha burimeve të financimit për rimëkëmbje të shpejtë të sektorit privat dhe punësimit, dhe mbrojtje sociale adekuate për grupet më të rrezikuara.
Por, në të njëjtën kohë masat do sigurojmë likuiditetin e sistemit bankar, si dhe qëndrueshmërinë e buxhetit të shtetit përmes një deficiti buxhetor dhe borxhi publik të përballueshëm në afat të shkurtë dhe afat të mesëm.