Bytyqi: Qeveria Kurti po bie në rrethanat më të këqija dhe PDK nuk e ka rrëzuar
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyqi, ka thënë se Qeveria në krye me Albin Kurtin kryeministër po bie në rrethanat më të këqija dhe se kjo nuk ka ndodhur për shkak të PDK-së.
Në Klan Kosova ai ka shtuar se koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është thyer për shkak të egoizmave të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.
“Albin Kurti dhe Isa Mustafa e kanë prishur koalicionin vet. Kurti e ka pasur mundësinë të mos e shkarkojë Veliun. Ne kemi pasur dy qeveri brenda Qeverisë.
“Ne kemi analizuar dhe kemi ardhur në përfundim se Kurti në mënyrë arbitrare në luftën me Presidentin Thaçi i ka shkelur të drejtat themelore të qytetarëve që garantohen në Kushtetutë. PDK e ka parë se kjo Qeveri nuk e ka fokusin tek qeverisja. Për 52 ditë është e vështirë të thuhet se a ka dështuar apo jo, por për këtë kohë ka bërë gabime shumë të rënda”.
Bytyqi ka theksuar se tani kur vendi po ballafaqohet me përhapjen e pandemisë COVID-19, nuk është koha për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare, por sipas tij, edhe sikur ato të ndodhnin nesër, PDK është e gatshme.
“Kjo Qeveri po bie në rrethanat më të këqija dhe në momentin më të keq. PDK nuk e ka rrëzuar, por atë e ka rrëzuar egoizmi i Kurtit dhe Mustafës”.
“Mënyra më e mirë për ta zhveshur një politikan është t’ia japësh pushtetin. Për 52 ditë Kurti e ka shkelur Kushtetutën – në rrethana normale ai është dashur që kurrë më mos të flasë si politikan. Ai ka vepruar me arbitraritetin e tij të gabueshëm që mendon se është vet shteti”.
“Të gjithë e dinë se edhe në rrethana të jashtëzakonshme nuk mund t’i suprimosh të drejtat themeltare që janë të parapara në Kushtetutë”.
“A ka mundur Kurti mos ta shkarkojë Veliun apo Mustafa mos ta dërgojë mocionin e votëbesimit në Kuvend”? Përgjigja është PO. Ai [Kurti] e ka ditur se me shkarkimin e Veliut rrëzohet Qeveria”.