Të dashurës, Adele
Nga: Victor Hugo (3 janar 1820)
Disa fjalë nga ti, Adela ime e dashur, prapë e ndryshuan gjendjen e shpirtit tim. Po, ti ke çdo forcë mbi mua, dhe, edhe po të vdisja e pyes vetën nëse [vetëm] tingulli i ëmbël i zërit tënd, nëse shtypja e butë e buzëve tua të dashura do mjaftonin për ta rikthyer jetën në trupin tim. Sonte do fle shumë i ndryshëm nga dje ! Dje, Adèle, i gjithë besimi në të ardhmen më kishte ikur, nuk besoja më në dashurinë tënde, dje ora e vdekjes do kishte qenë e mirëseardhur për mua.
Megjithatë, i thoja prapë vetës, nëse vërtetë ajo s’të do, nëse asgjë në shpirtin tim s’ka arritur ta meritojë dashurinë e saj pa të cilën nuk ka më sharmë në jetën time, a është kjo një arsye për të vdekur ? A eksitoj unë për lumturinë time personale ? Oh jo ! E gjithë qenia ime i është përkushtuar asaj, deshi apo s’deshi ajo. Dhe me çfarë të drejte do guxoja të pretendoja dashurinë e saj ? A jam më shumë se engjull unë apo më shumë se Zot ?
E dua, është e vërtetë, unë jam i gatshëm të sakrifikoj gjithçka për të, gjithçka, edhe shpresën që ajo të më dojë një ditë ; s’ka përkushtim që s’do e bëja për të, për një buzëqeshje të saj, për një shikim të saj. Por a mund t’isha tjetër unë ? A s’është ajo qëllimi i vetëm i jetës sime ? Edhe nëse më dëshmon indiferencë, madje edhe urrejtje, le të jetë ky mallkimi im, e çka atëherë ? Nëse ajo nuk mundet të më dashurojë, unë duhet ta akuzoj veten time. Detyra ime është që t’i ngjitem hapave të saj, ta rrethoj ekzistencën e saj me timen, t’i shërbej si barrierë kundër çdo rreziku, të vendosem pa ndalë ndërmjet saj dhe të gjitha dhimbjeve, pa pritë asnjë shpërblim. (…) –-
Dje, në këtë orë, Adela ime e dashur, këto ishin mendimet dhe dëshirat e shpirtit tim. Ato janë ende të njejta sot. Vetëm se tash në to përzihet edhe siguria për lumturi, për atë lumturi aq të madhe saqë s’guxoj as ta mendoj pa u dridhur.
Pra, është e vërtetë që ti më do, Adèle ! Më thuaj, a mund ti besoj kësaj ideje kaq të bukur ? A beson se mund të çmendem nga gëzimi nëse jetën time e kaloj pranë teje ? (…)
Fli e qetë dhe lejo burrin tënd t’i marrë dymbëdhjetë puthjet që ia ke premtuar dhe të gjitha të tjerat që s’ia ke premtuar