Kurti takon komandantin e KFOR’it, diskutuan për gjendjen e sigurisë
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, në kuadër të takimeve të rregullta, u takua sot me Komandantin e KFOR-it në Kosovë, Michele Risin dhe këshilltarin e tij politik, Andrea Angeli.
Përmes një njoftimi për media thuhet se “diskutuan mbi gjendjen e sigurisë në vend me rastin e përhapjes së Covid-19, dhe masave të vazhdueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të pandemisë COVID-19”.
“Komandanti Risi, shprehu mirënjohje për bashkëpunimin mes Qeverisë dhe KFOR-it dhe gatishmërinë për ta thelluar atë. Ai nënvizoi se përballë sfidës me të cilën po ballafaqohemi, bashkëpunimi ndërinstitucional është i patjetërsueshëm dhe se ruajtja e sigurisë në Republikën e Kosovës është qëllim i përbashkët”, theksohet në kumtesën nga kryeministria.