OBSH: Kosova të bëhet gati shpejt për ta përballuar përkeqësimin e situatës me Coronavirus
Drejtori ekzekutiv i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Michael Ryan është përgjigjur në pyetjen e një mediumi kosovar, gjatë konferencës së sotme, ku ka kërkuar nga shteti i Kosovës që të bëhet gati sa më shpejt për ta përballuar eskalimin e situatës me koronavirus Covid-19
Krerët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë mbajtur sot konferencën e rregullt për gjendjen me virusin SARS-CoV-02 në botë. Pas fjalës së drejtorit të përgjithshëm Dr. Tedros Adhanom, drejtuesit e OBSH-së janë përgjigjur në pyetjet e gazetarëve nga vende të ndryshme të botës.
Në këtë konferencë është pranuar edhe pyetja e gazetarit Bujar Vitija nga Gazeta Shneta nga vendet e Ballkanit. Vitija ua ka sqaruar krerëve të OBSH-së numrin e udhëtarëve të ardhur nga vendet endemike, numrin e të testuarve që ka arritur në rreth 1300 dhe numrin e personave të konfirmuar pozitiv.
Në përgjigjen e tij, drejtori ekzekutiv i OBSH-së Michael Ryan, ka thënë se sistemi shëndetësor në Kosovë është ende në gjendje të vështirë. Ai ka treguar se ka qenë në vendin tonë për disa muaj për të ndihmuar ndërtimin e sistemit.
“Kosova është një vend që ka dal prej një situate të vështirë dhe tani është duke i rindërtuar sistemit e ofrimit të shërbimeve. Kam qenë për disa muaj në Kosovë për të ndihmuar ndërtimin e sistemit shëndetësor”.
“Jam në dijeni për sfidat dhe vështirësitë që qytetarët e Kosovës janë përballur në vitet e fundit. Sistemi shëndetësor në Kosovë ka ende dobësi por ka shumë profesionistë të përkushtuar dhe shumë punëtor. Por duhet të sigurohemi se mbikëqyrja e rasteve është e mirë. Kosova duhet të ketë një sistem aktiv të detektimit të rasteve dhe të shtojë mundësitë për të përballuar situatën”, ka deklaruar Ryan.
Ai i ka bërë thirrje Kosovës që të ndërmarr hapa të shpejt për t’u përgatitur në rast se situata me koronavirus eskalon.
“Kosova dhe Shqipëria janë pas ujit, afër me Italinë, një prej vendeve më të prekura nga epidemia në botë dhe është shumë me rëndësi që vendet e Ballkanit, në veçanti Kosova duhet të ndërmarr hapa të shpejt që të jetë e gatshme të përballojë situatën me virusin pasi mund të përkeqësohet. Për fund përshëndetjet më të ngrohta nga unë për kolegët në Kosovë”, është shprehur Ryan.
Ndërkohë, 13 raste të reja me coronavirus janë konfirmuar sot në Kosovë, duke çuar kështu në 125 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në Kosovë.
Po sonte, është njoftuar se 4 kosovarë tjerë janë shëruar, nga pandemia duke çuar kështu në 10 numrin e përgjithshëm të të shëruarave nga Coronavirusi në Kosovë.