Thaçi: Nuk kam gisht në rrëzimin e Qeverisë Kurti
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për mocionin e votëbesimit me të cilin u rrëzua Qeveria Kurti.
I pyetur në Pressing se a ka gisht në rrëzimin e Kurtit, Thaçi ka thënë se është e drejtë kushtetuese dhe ligjore e deputetëve, të cilët e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë për mocionin e votëbesimit.
Megjithatë Thaçi ka thënë se kjo nuk është hera e parë që Qeveritë rrëzohen, mirëpo sipas tij kjo nuk është dashur të ndodhë në mes të krizës me pandeminë COVID-19.
“As nuk kam pasë gisht, as dorë, unë nuk kam qenë në Kuvend. Është e drejtë kushtetuese dhe ligjore që e kanë shfrytëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës. Përmendja e emrit tim prej deputetëve në pozitë apo opozitë është çështje e tyre. Ndoshta edhe përballja e tyre elektorale me mua ka krijuar pasoja tek ta. Unë i kam përcjellë nga afër punimet. Duhet respektuar si një proces i rregullt kushtetues dhe ligjor. Ky mocion nuk është i pari që ka ndodh në vendin tonë, por a kanë qenë rrethanat, nuk kanë qenë”, është shprehur ndër të tjera Thaçi.
Kujtojmë se presidenti Thaçi gjatë ditës së sotme kishte konsulta me disa nga liderët e partive politike në Kosovë, duke përfshirë edhe kryeministrin Kurti.