Policia kap gjakovarët që hapën llogari dhe postuan fotografi në Facebook në emër të të miturës
Dy persona nga Gjakova, kanë hapur një llogari në rrjetin social Facebook, në emër të një vjze të mitur. Madje, ata kanë publikuar edhe fotografi, të cilat nuk ishin të së miturës. Krejt këtë ata e kanë bërë që të përfitojnë para nga e mitura.
Kishin hapur një llogari në Facebook në emrin e një vajze të mitur nga Gjakova. Në atë llogari kanë publikuar fotografi, të cilat nuk kanë qenë të së miturës.
Madje, dy personat të cilët kanë hapur llogarinë e rreme në Facebook, kanë arritur të kontaktojnë me të miturën.
E mitura ka kërkuar nga dy të dyshuarit që t’i largojnë fotografitë e publikuara në emrin e saj, mirëpo në këmbim të saj, ata i kanë kërkuar të holla.
Megjithëse iu kishte thënë se nuk ka më shumë se 20 euro, dhe se shumën tjetër do t’ua jepte më vonë,të dyshuarit kanë pranuar që të takohen me të miturën për t’i marrë paratë.
Krejt këtë ngjarje e ka konfirmuar Drejtori i Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta.
“Sot, më datë 01.04.2020 rreth orës 16:00 viktima femër, e mitur nga Gjakova ka njoftuar Policinë se persona të panjohur kanë hapur një llogari të rreme në rrjetet sociale me emër të viktimës”, ka thënë Graishta.
Graishta ka theksuar se policia ka identifikuar lokacionin ku do të bëhej pagesa dhe në momentin e takimit të viktimës me të dyshuarit, policia ka arritur në vendngjarje.
“Në të njëjtën kohë njësitet policore kanë identifikuar lokacionin ku do të bëhej pagesa dhe në momentin e takimit të viktimës dhe të dyshuarëve, këta të fundit (dy të dyshuarit) janë arrestuar në flagrancë. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë në Qendrën e Mbajtjes në Gjakovë”, ka theksuar Graishta.