Kurti do t’i shkojë në takim nesër Thaçit
Kryeminstri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se do të shkojë nesër në takimin e thirrur nga Presidenti Hashim Thaçi.
“Këshilltarët e mi ligjorë, e kanë pasur për detyrë ta vlerësojnë ftesën e presidentit, dhe sugjerimi i tyre është që të shkoj në takim nesër, dhe unë do të shkoj si kryeministër në detyrë”, konfirmoi Kurti.
Më tej Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se në takimet me ambasadorin Richard Grenell, asnjëherë nuk ka thënë se do ta heqë tarifën, pa reciprocitet.
“Kanë qenë dy takime me Grenellin, një në tetor dhe një në janar, në të dyja ka qenë temë tarifa. Në të dy takimet e kam mbajtur qëndrimin e njëjtë, por ambasadori Grenell ka mundur t’i paraqesë mesazhet ku unë thënë se e heq tarifën pa reciprocitet. Natyrisht se s’ka mesazh të tillë. Unë vazhdimisht kam thënë se tarifën duhet ta zëvendësojmë me reciprocitet, asnjëherë s’kam vënë pikë në fjali duke thënë se duhet ta heqim tarifën. Ambasadori Grenell ka mundur ta shohë ndonjë pikë timen si presje. Nëse ka ndonjë politikan që dihet si mendon, jam unë. E dini, presidenti serb Vuçiqi që tha s’kemi trysni nga amerikanët. Nuk e di si erdhëm në këtë situatë ku Kosova, që ka për kryeministër dikë që ishte në burgjet e Millosheviqit ka pakrahasueshëm më shumë trysni sesa Serbia që duket se s’ka trysni fare e e ka për president një që ishte ministër i Millosheviqit. Si erdhëm në këtë situatë?”, tha Kurti.