Guvernatori i Nju Jorkut e pranon gabimin: E nënvlerësuam koronavirusin, është i rrezikshëm
Në Shtetet e Bashkuara, guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, përsëri ka bërë thirrje për më shumë furnizime si dhe një strategji më të mirë kombëtare për të luftuar Covid-19.
“Ne e nënvlerësuam këtë virus. Është më i fuqishëm, është më i rrezikshëm nga sa prisnim”, theksoi ai.
Shteti, i cili mbetet epiqendra e shpërthimit në SHBA, ka nevojë shumë të madhe për pajisje dhe staf.
Cuomo bëri thirrje për një strategji mbarëkombëtare përmes së cilës shtetet, së bashku ndihmojnë në zbutjen e pikut të krizës .
“Ejani të na ndihmoni në Nju Jork, të merrni pajisjet, të merrni trajnimin, të merrni përvojën, dhe pastaj le të shkojmë të gjithë të ndihmojmë vendin tjetër,” tha Cuomo.
Nju Jorku tani ka 1.550 vdekje nga koronavirusi. Ekspertët po parashikojnë se kulmi i infeksioneve atje do të jetë në 14-30 ditët e ardhshme.