Siguria në punë, shumë vdekje e pak inspektime
Janë vetëm 37 inspektorë të punës që duhet të inspektojnë 66 mijë biznese nëse janë duke i respektuar të drejtat e punëtorëve që dalin nga Ligji i Punës apo ai për Siguri dhe Shëndet në Punë. Ky numër po duke i pamjaftueshëm, marrë parasysh numrin e incidenteve në vendin e punës që kanë përfunduar me fatalitet apo me lëndime.
Numri i personave të vdekur është i njohur për institucionet, mirëpo për numrin e të lënduarve në vendin e punës nuk ka shifra të besueshme. Ndonëse, inspektorati i punës tregojnë për të dhëna sa i përket personave të lënduar në vendet e tyre të punës, janë disa spitale rajonale që tregojnë se shpeshherë ballafaqohen me raste kur personat hezitojnë të tregojnë se ku janë lënduar. Ndërkohë, që në Gjykata nuk kanë statistika se sa raste janë në gjykim për shkak të padive të ngritura për shkeljen e të drejtave të punëtorëve.
Vdekja në vendin e punës
Sefer Kryeziu nga fshati Bubavec i komunës së Malishevës 30 vjet ka punuar në ndërtimtari. Ai humbi jetën në vendin e tij të punës, në vitin 2018, pasi kishte rënë nga një ndërtesë që ishte në ndërtim e sipër.
Mursel Kryeziu, vëllai i Seferit thotë se i ndjeri ka rënë nga kati i katërt i ndërtesës në të cilën ishte duke punuar.
“Rreth orës 17:30, vëllai derisa ka qenë duke çmontuar dërrasat pas betonimit ka rënë nga lartësia e objektit në ndërtim e sipër”, thotë Mursel Kryeziu.
Ai tregon si i vëllai nuk kishte kontratë pune dhe punonte deri në 11 orë në ditë. Përkundër se incidenti fatal kishte ndodhur në vitin 2018, Kryeziu thotë se deri më tash nuk janë kontaktuar asnjëherë nga Gjykata apo Prokuroria.
Por, thotë se kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për kompensim me kompaninë në të cilën ka punuar i vëllai.
“Pas shumë negociatave në takimin e fundit arritëm marrëveshje një banesë 90 m2 dhe mobilimin e banesës që kompania ka pranuar t’ua jap familjes së vëllait, gruas dhe vajzës së tij”, tha Kryeziu.
Murseli thotë se fajtorë për vdekjen e të vëllait është shteti që nuk është kujdesur që secili punëtor të ketë sigurinë e nevojshme në punë.
“Më ka tregu vëllai për vizita të inspektorëve apo Policisë në vendin e tyre të punës, mirëpo këto vizita kanë përfunduar me një takim në lokale dhe nuk e kanë ndryshuar gjendjen e punëtorëve”, thotë Kryeziu. Në vitin 2018, 22 persona kanë vdekur në vendin e tyre të punës, ndërsa 120 persona kanë marrë lëndime në vendin e tyre të punës.
Milaim Morina, nga Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) tha se sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë gjendja në terren është mjaftë shqetësuese duke pasur parasysh numrin e madh të aksidenteve.
“Vetëm ne dy vitet e fundit janë aksidentuar mbi 500 punëtor, nga te cilët 36 kanë pësuar me fatalitet. Në anën tjetër, nuk ka evidenca për të punësuarit të cilët kanë pësuar nga sëmundje profesionale për shkak se Kosova ende nuk e ka listën e sëmundjeve të tilla”, deklaroi ai.
Krahasuar me shtetet tjera të rajonit, Morina thotë se Kosova e ka normën më të lartë të punëtorëve të aksidentuar.
“Në Shqipëri, vitin e kaluar janë lënduar 131 të punësuar dhe 30 kanë pësuar me fatalitet, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 97 të punësuar kanë pësuar lëndime dhe 17 kanë vdekur në vendin e punës. Nëse aksidentet në punë krahasohen sipas metodologjisë së Statistikave Evropiane për Aksidentet në Punë, ku behet krahasimi i aksidenteve dhe vdekjeve në punë për 100 mijë të punësuar, në Kosovë aksidentohen 66-67 nga 100 mijë të punësuar, në Shqipëri 13-14 dhe në Maqedoninë e Veriut 15-16 nga 100 mijë të punësuarit aksidentohen në vendin e punës”, tha ai.
Mungesa e kontrollit
Mungesa e inspektorëve të punës ka qenë një prej temave më të debatuara në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019. Është propozuar që numri i inspektorëve të arrijë në 400, nga 37 sa i ka aktualisht.
Ushtruesi i Detyrës së kryeinspektorit të Punës, Valon Leci thotë se nuk arrijnë të mbulojnë gjithë terrenin dhe bizneset me vetëm 37 inspektorë sa janë aktualisht duke punuar.
“Sa i përket numri të inspektorëve situatën e kemi goxha delikate. Prishtina ka afërsisht 12-13 inspektor ka më shumë se në rajonet e tjera, kemi rajone që kanë mbet me 1 apo 2 inspektor, varet prej rajonit dhe situatave që janë paraqitur në rajone të ndryshme mirëpo me punësimin e njerëzve të rijnë do të bëjmë një ndarje të planifikuar varësisht prej bizneseve që operojnë në atë territor regjion të caktuar”, tha Leci.
Leci tha se gjatë vitit 2019 në Kosovë janë bërë gjithsej 10 mije e 200 inspektime, dhe janë lëshuar vetëm 240 gjoba.
Milaim Morina, nga Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) thotë se numri i inspektorëve në terren është i pamjaftueshme për t’i inspektuar të gjitha bizneset në Kosovë.
“Inspektorati i Punës aktualisht ka 40 inspektorë terreni të cilët janë të pamjaftueshëm për të inspektuar mbi 60 mijë biznese aktive pa përfshirë këtu institucionet publike. Ndërsa, brenda një viti maksimalisht bëhen afërsisht 10 mije inspektime. Vitin e kaluar është marr vendim që të rritet numri i inspektorëve, mirëpo deri më tani nuk është rekrutuar asnjë inspektor i ri”, tha Morina.
Morina tha se ka nevojë për ndryshim të ligjeve, meqë vitin e kaluar ishin pezulluar procedurat për shkak të rënies së qeverisë dhe shpërndarjes së Kuvendit.
Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura në Kosovës (BSPK) ka kërkuar vazhdimisht rritjen e numrit të inspektorëve. Avni Ajdini thotë se Kosovës i duhen të paktën 100 inspektorë të punës, në mënyrë që të mbulohen gjitha bizneset e Kosovës.
“Propozimi i qeverisë për 400 inspektorë është shumë, pasi 100 inspektor mund ta mbulojnë tërë territorin e Kosovës. Duhet të ngritët vetëdija e inspektorit të ngritët më tepër pra inspektorët të mos jenë të korruptuar pasi kemi raste që inspektori ka marr edhe mito dhe është dashur të largohet nga puna”, tha Ajdini.
Ajdini tha se në sektorin e ndërtimtarisë kemi mungesë të sigurisë në punë e njëkohësisht pakë kontroll nga inspektorët.
“Në sektorin e ndërtimtarisë për fat të keq siguria mungon, sepse kemi mjaft incidente me fatalitet, për këtë arsye ne kemi kërkuar që qasja e Inspektorati të Punës të jetë sa më e madhe duke mos i përjashtuar as gjobat sepse vetëdija nuk është e ngritur dhe kjo ngritët vetëm nëse inspektori e zbaton ligjin dhe merr masa ligjore”, tha Ajdini.
Sa i përket fushatës së ngritur nga Inspektorati për ti ndëshkuar bizneset, tha se kjo fushate ka ngelur peng shkaku i nepotizmit.
“E di që janë denu disa biznese, mirëpo sa është ekzekutua ai dënim nuk kam informacione, e di që ka fillu mirëpo ka ngel, shkaku se kanë dal në pyetje nepotizmi pra kur ka shku inspektorati i punës kanë dalë të njohshëm dhe është stopu puna”, shtoi Ajdini.
Kjo u kundërshtua nga ushtruesi e detyrës i Kryeinspektorit të Punës Valon Leci. Ai tha se kjo fushat në parim ka pasur efekt negativ vetëm për bizneset sepse është dashur të investojnë më shumë mirëpo përfundimisht rezultatet janë të kënaqshme sepse nuk është asnjë person që ka humbur jetën si pasojë e rënies nga lartësia në vitin 2019.
Mungesa e të dhënave
Policia e Kosovës thotë se në vitin 2019 janë regjistruar 72 raste nën dyshimin për kryerje tëveprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”. Kurse, nga janari e deri me datën 25 shkurt, Policia thotë se ka pranuar 11 raste nën dyshimin e njëjtë.
Sa u përket rasteve të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve në gjykatën themelore në Prishtinë kanë deklaruar se nuk kanë një kolonë të veçantë ku specifikon këto shkelje.
“Nga zyra e statistikave të kësaj Gjykate jemi informuar se në formularët që i posedon kjo zyrë nuk ka kolonë të veçantë ku specifikohen shkeljet e të drejtave të punëtorëve në përgjithësi, pasi që padia kur të arrin në gjykatë vjen në konteste të ndryshme dhe regjistrohet sipas kontestit të caktuar nga pala”, ka thënë Mirlinda Gashi, zyrtare për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Portali ka kërkuar të dhëna nga të gjitha qendrat spitalore në Kosovë në mënyrë që të merret një numër i përsonave të lënduar apo të vdekur në vendin e punës.
Drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani, tha se vetëm gjatë vitit 2019, në qendrën Klinike Emergjentë kanë vdekur 6 persona si pasojë e rënies nga lartësia. Ndërkaq sa i përket të dhënave për numrin e personave të lënduar Lenjani tha se 25 persona kanë kërkuar ndihmë shkaku i lëndimeve të marra në vendet e punës.
“Këta persona kryesisht kanë pasur lëndime politraum, pra personat janë lënduar në dy apo më shumë pjesë të trupit si lëndime të kokës, gjoksit, abdomenit barkut, dëmtime të funksioneve vitale etj”, tha Lenjani.
Zyra për informim në Spitalin e përgjithshëm të Pejës thonë se kanë pranuar persona të lënduar në vendet e punës, kryesisht nga sektori i ndërtimtarisë.
“Lëndime të tilla mund të jenë afërsisht 3 deri në 5 persona në javë. Lëndimet janë nga më të ndryshme që nga gërvishtja e deri tek amputimet. Spitali i Përgjithshëm në Pejë në rastet kur ka lëndime serioze e njoftojmë Policinë”, thuhet në përgjigjet e këtij spitali.
Ata pranojnë se ka edhe raste të tilla kur punëtorët tentojnë të fshehin vendin se ku janë lënduar duke deklaruar se janë të vetëpunësuar.Gjatë vitit 2019 në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ka vdekur një person si pasojë e lëndimeve në punë në ndërtimtari.
Raste të lëndimeve janë paraqitur edhe në Spitalin e Prizrenit.
Buran Godeni, kryeinfermier i Emergjencës në këtë spital ka thënë se gjatë vitit 2019 në Spitalin e Prizrenit janë paraqitur 26 persona të cilët kanë marrë lëndime në vendet e tyre të punës. Ndërsa, sa i përket rasteve me fatalitet Godeni tha se nuk kanë pasur.
“Shumica e rasteve të lëndimeve kanë qenë nga sektori i ndërtimtarisë të cilat i kemi trajtuar në spitalin e Prizrenit. Kanë qenë tri raste me lëndime të rënda të cilat janë dërgu në QKUK në Prishtinë”, tha Godeni.
Në Spitalin e Gjilanit gjatë vitit 2019 janë paraqitur gjithsej 22 persona të cilët kanë kërkuar ndihmë si pasojë e lëndimeve në vendet e tyre të punës.
Drejtor Ekzekutiv në Spitalin e Përgjithshëm Ferizaj, Jeton Zeqiri tha se edhe në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, kanë kërkuar ndihmë persona të lënduar në vendet e tyre të punës.
“Gjatë vitit 2019 në spital kanë kërkuar ndihmë gjithsej 26 pacientë, ndërkaq nuk kemi pasur asnjë raste të personave që kanë humbur jetën”, thuhet në përgjigjen e tij.
Ai tha se këto lëndime kanë qenë zakonisht nga sektori i ndërtimtarisë si dhe nga marketet e mëdha aty ku ka mishtore etj. Ai tha se janë përballur edhe me raste të tilla ku personat kanë hezituar të tregojnë se ku janë lënduar.
Heshtja e bizneseve
Portali ju ka dërguar pyetje një numri të madh të bizneseve të ndërtimit për t’i pyetur për kushtet e punës si dhe respektimin e të drejtat të punëtorëve dhe sigurinë në vendin e punës. Por, vetëm dy kompani kanë pranuar të përgjigjen, e të tjerat nuk janë përgjigjur.
Kompania “KAWA Group” vitin e kaluar ka filluar punësimin e punëtorëve të ndërtimtarisë të cilët kryejnë punë direkt në punishte. Uran Haxha, përfaqësues i kompanisë tha se numri i punëtorëve në punishte ndryshon në periudha kohore.
“Zakonisht gjatë muajve të dimri ka një numër më të vogël, e gjatë muajve të verës numri rritet. Secili nga ta është i pajisur me kontratë pune, e cila bazohet totalisht në Ligjin e Punës në Republikën e Kosovës. Të gjithë punëtorët kanë të përfunduar trajnimin e sigurisë në punë dhe trajnimin për informim me të drejtat e tyre për Ligjin e Punës”, thotë Haxha.
Ai tha se në kompaninë e tyre të gjithë punëtorët i kanë pajisjet mbrojtëse si dorëza, helmeta, rripa të sigurisë etj.
“Në momentin që një punëtor krijon marrëdhënie pune me kompaninë tonë, ai pas nënshkrimit të kontratës pajiset me veshje pune të stampuara nga kompania, doreza, helmetë, këpucë pune dhe rekuizitat tjera për pozicione të ndryshe të punës kur janë specifike. Rrjedhimisht secilën nga këto pajisje i ka të zëvendësueshme. Në rastin që i dëmtohen dorezat në punë, ai i dorëzon të dëmtuarat dhe i merr dorezat tjera të reja. Gjithashtu atyre u jepen edhe mjetet e punës si çekan, dana dhe të ngjashme”, tha Haxha.
Ai tha se punëtorët janë të obliguar që t’i përdorin pajisjet mbrojtëse.
“Punëtorët e kanë obligim dhe të cekur në kontratë përdorimin e pajisjeve mbrojtëse. Përpara se të hapnim konkursin kemi mbledhë informata që ka punëtorë që refuzojnë mbajtjen e helmetës. Kështu që fillimisht në intervistë pune, atyre u është kërkuar të konfirmojnë nëse e mbajnë helmetën, apo jo”, tha ai.
Haxha shtoi se në rast se punëtorët shihen nga kryepunëtori që nuk mbajnë helmetën, në rastin e parë ka një tërheqje të vërejtjes verbalisht, më pas dënohet. Ai tha se deri me tani kanë pasur raste të lëndimeve në punë.
“Ne kemi pasur punëtorë që kanë lënduar dorën, këmbën apo gishtin. Pasi i është ofruar ndihma e parë në vend punishte, pasi një gjë e tillë ekziston aty, punëtorët janë transportuar në QKUK. Aty u janë kryer të gjitha procedurat dhe secili prej tyre ka marrë pushim mjekësor deri në riaftësim”, tha Haxha.
Ai shtoj se në këto raste kompania paguna edhe pushimin mjekësore si dhe secili nga punëtorët ka polisën e sigurimit shëndetësore dhe sigurimit jetësor.
Përfaqësues të kompanisë ndërtimore “Hoxha Invest Group” kanë të punësuar 20 punëtorë, numër ky që ndryshon varësisht nga dinamika e punës.
Përfaqësues të kompanisë kanë deklaruar se të gjitha punëtoret janë të pajisur me kontrata të punës.
“Asnjëherë nuk kam pasur dhe nuk kam një punëtor pa kontratë pune. Orari i punës është 8 orë në ditë ndërsa gjatë sezonit veror ka zgjatje te orarit, por gjithnjë duke ju paguar edhe shtesën që e parasheh ligji i punës” thuhet në përgjigjet e dërguara nga Hoxha Invest Group.
Ata kanë thënë se në kompaninë e tyre deri me tani nuk kanë pasur asnjë aksident me fatalitet, ndërsa sa u përket lëndimeve thonë se çdo herë punëtorëve u kompensohen vizitat mjekësore dhe medikamentet.
Kontrollet mjekësore
Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, në nenin 22, pika 1 i obligon punëdhënësit t’u sigurojë të gjithë të punësuarve kontrollime mjekësore në institucionet shëndetësore të licencuara.
Gjithashtu ligji shkruan se punëdhënësi është i detyruar t’i dërgojë në kontrollim mjekësor të gjithë të punësuarit së paku një herë në tre (3) vite.
Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës, është i vetmi institucion publik i cili ofron shërbime nga mjekësia e punës. Luan Nagavci, ushtrues detyre i pozitës së drejtorit ekzekutiv në këtë institucione tha se vizitat sistematike janë shumë të rëndësishme për të pasqyruar gjendjen shëndetësor të të punësuarve. Nagavci tha se gjatë vitit 2019 në QKMP janë kryer 292 vizita sistematike si dhe janë lëshuar 304 certifikata mjekësore.
“4 (katër) biznese te Republikës së Kosovës kanë kryer vizita sistematike gjatë vitit 2019. Ka biznese te vogla që kërkojnë Certifikata Mjekësore ( nëse iu është kërkuar nga Inspektorati i Punës ) por ka edhe të atilla qe kërkojnë vizita Sistematike (po ashtu të kërkuara nga Inspektorati Punës)”, tha Nagavci.
Sipas tij, ekzistojnë dy lloj kontrollimesh mjekësore: kontrollimi për certifikim të punës dhe kontrollimet sistematike, çmimet e të cilave janë të ndryshme.
“Çmimi i certifikatës mjekësore është 15 Euro. Kurse çmimi i vizitës Sistematike përpilohet varësisht se çfarë shërbime kryejmë (vizita specialistike 4 euro, zakonisht kryhen 5 vizita tek specialistët përkatës, analizat laboratorike 5 euro, spirometria 5 euro, Pa-Pulmo 5 euro, Ekg- 1 euro etj ). Nëse duhet te kryhen ekzaminime shtesë, atëherë çmimi ndryshon dhe atë duke u bazuar ne ligjin mbi bashkë pagesat. Çmimi varet nga ekzaminimet që kërkohen duke respektuar specifikat e punës të organizatës që kërkon shërbimet tona”, ka thënë ai.
Nagavci tha se vizitat mjekësore përveç që parandalojnë sëmundjet profesionale ato evitojnë edhe lëndimet e mundshme në vende të punës.
“Vizitat sistematike janë shumë të rëndësishme duke pasur parasysh qe me vizita të tilla kemi pasqyrë reale për gjendjen shëndetësore të të punësuarve. Varësisht nga vendi i punës , këto vizita duhet te bëhen në periudha te caktuara kohore dhe kështu në vazhdimësi përcillen ndryshimet eventuale te gjendjes shëndetësore të të punësuarve. Me këto vizita mund te evitohen sëmundjet profesionale, lëndimet eventuale si dhe në masë të madhe zvogëlimi i invaliditetit të përkohshëm apo te përhershëm”, tha ai.
Ai tha se bizneset nuk duhet ti anashkalojnë vizitat sistematike sepse një nga shakatarët e vdekjeve dhe lëndimeve sipas tij janë edhe mos kryerja e vizitave sistematike.
“Mendoj që bizneset duhet të obligohen për kryerjen e vizitave sistematike të të punësuarve e sidomos ato biznese ku lëndimet në punë dhe probabiliteti i sëmundjeve profesionale është faktor rreziku. Një nga shkaktarët e mundshëm për lëndime dhe vdekje gjatë procesit të punës është edhe mos kryerja e vizitave sistematike pasi që nuk kemi ide mbi gjendjen shëndetësore dhe sëmundjet eventuale të të punësuarve. Në këto raste vizitat sistematike janë të rëndësisë së veçantë”, shtoi ai.
‘Skllavëria’ në punë
Derisa vdekjet përfundojnë me marrëveshje të kompensimit në mes të punëmarrësit dhe familjes së viktimës, një gjë e tillë nuk ndodh me rastet që përfundojnë me lëndime.
Janë bërë 14 vjet që Fatmir Sopa, tash 54 vjeç, po kërkon të drejtën e tij në gjykatë. Sopa nga Sllovia e Lipjanit në moshën 40 vjeçare mbeti pa këmbën e tij të djathtë pas një lëndimi që thotë se e pësoi në vendin e tij të punës.
“Ka qenë 6 tetori 2006 unë me dy punëtor jemi hyp ne lift jemi kanë duke shku në katin e 5, në lift ka pas thasë të miellit, pasi kemi arrit e kemi dëgju një krismë edhe kemi ra poshtë. Asgjë nuk mbajë mend. Por, kur jam zgjuar e kam parë që këmba mu këput”, rrëfen Sopa.
Ai thotë se shpenzimet e shërbimit i ka mbuluar ai dhe familja e tij.
“Të gjitha shpenzimet e spitalit e të gjitha operacionet që i kam pasur gjitha me shpenzimet e mija i kam mbulu”, ka thënë ai.
Sipas nenit 60 të Ligjit të Punës, punëdhënësi është i obliguar të paguajë për sigurimin për kompensim të shpenzimeve në rast të lëndimit ose sëmundjes profesionale të punëtorëve.
Familja Sopa kanë thënë se momentalisht janë në procedura të përmbarimit, dhe nuk do të ndalën se kërkuari drejtësi.
Vetëm gjatë vitit 2018 kemi pasur 22 raste që kanë përfunduar me fatalitet. Gjatë vitit 2019 kemi pasur 11 raste që kanë përfunduar me fatalitet prej tyre 2 kanë qenë nga Gjilani, 2 nga Mitrovica, 1 nga Skenderaj 1 nga Peja dhe pjesa tjetër nga rajoni i Prishtinës. Deri në mars të vitit 2020 është raportuar vetëm për një rast me fatalitet.
Ky botim është mundësuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Valentina Ahmetit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.