Covid-19, nënshkruhet kontrata për ndihmën 5 milionëshe nga BE-ja për Kosovën
Bashkimi Evropian i ka ofruar Kosovës ndihmë prej pesë milionë eurosh për luftimin e pandemisë COVID-19.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, sot nënshkruajti kontratën e kësaj ndihmese financiare për nevoja të menjëhershme të Kosovës për luftimin COVID-19, me përfaqësuesit e UNOPS-it në Kosovë.
“BE-ja është këtu. Jemi me popullin e Kosovës dhe do t’ju ndihmojmë”, tha Apostolova në ceremoninë e nënshkrimit e cila u realizua përmes video-konferencës për shkak të koronavirusit.
Brendan Keirnan nga UNOPS, tha se kjo ndihmesë dëshmon angazhimin e tyre ndaj Kosovës. Ai theksoi se duan të sigurohen që sistemi shëndetësor i Kosovës t’i ketë fuqinë dhe kapacitetet e nevojshme për t’ju ndihmuar të prekurve nga pandemia në Kosovë.
Kjo marrëveshje u ndoq përmes konferencës virtuale edhe nga Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili tha se janë shumë të lumtur që në këtë kohë BE-ja po tregon solidaritet me popullin e Kosovës.
Ai shprehu falënderim për ndihmesën e BE-së, përderisa theksoi se Kosovën po e presin javë të vështira në luftën kundër Covid-19, por se shpreson që gjithcka do të përfundojë me pasoja minimale.
Kontrata përfshinë furnizimin me pajisje mjekësore dhe mjete për mbrojtjen nga COVID-19 dhe trajtimin e tij, për nevojat e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë.
Pajisjet përfshijnë barna, respiratorë/ventilatorë, pompa infuzioni dhe pompa infuzioni shiringë, auto-ambulanca, oksimetër pulsi në gisht dhe oksimetër pulsi, monitorues të pacientëve, defibrilatorë, elektrokardiografë.