Vitia: Në rast neglizhence nuk do të mund t’i përballojmë fluksit me COVID-19
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë serish thirrje qytetarëve që të vazhdojnë t’iu përmbahen rekomandimeve të dhëna nga institucionet shëndetësore në lidhje me parandalimin e përhapjes me COVID-19 në vend, ku deri më tash janë regjistruar 91 raste, prej tyre një i shëruar dhe një me përfundim fatal.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia në një video-konferencë për media ka bërë të ditur se deri më tash janë kryer 1037 testime të dyshuara me COVID-19, ku sot ka pasur 36 pacientë prej të cilëve, 31 janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe pesë në gjendje më të rëndë.
“Deri tani sipas të dhënave nga IKSHP, në Kosovë janë kryer 1037 testime të mostrave të dyshuara me COVID prej të cilave 91 raste kanë rezultuar pozitive, një ka vdekur dhe një është shëruar dhe është lëshuar në shtëpi. Sipas Klinikës Infektive, sot aty ka pasur 36 pacientë të hospitalizuar prej të cilëve, 31 janë në gjendje shëndetësore stabile dhe pesë në gjendje më të rëndë me tretman oksigjeno-terapi. Shifrat me COVID-19 ndryshojnë çdo ditë dhe do t’ju informojmë në kohën reale sikur deri më tash. Qeveria e Kosovës ditë më parë ka ndërmarrë masën e kufizimit nga ora 10-16.00 dhe nga 20.00-06.00, por pas analizave të efekteve të kësaj mase dhe kërkesave që të shkohet në masa më efektive, Qeveria ka vendosur që koha e lëvizjes të kufizohet nga ora 17 deri në ora 6 të mëngjesit. Kërkojmë që koha e lejuar për qarkullim të mos kuptohet si një hapësirë për të rrezikuar shëndetin e qytetarëve të Kosovës, por të respektohet lëvizja në rrugë të mos bëhet jo më shumë se dy persona dhe të mbahet në distancë prej dy metra me të tjerët”, tha Vitia.
Lexo edhe:
Ministri Vitia: Pesë persona janë në gjendje më të rëndë nga koronavirusi
Ai u ka bërë thirrje serish qytetarëve që të ndjekin rekomandimet e institucioneve shëndetësore, me qëllim të mos përhapjes së koronavirusit që tashmë ka prekur pothuajse të gjithë botën, në të kundërtën do të ketë gjoba për ata që nuk respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri COVID-19.
“Këtu mund të na ndihmojnë qytetarët dhe bashkëpunimi i tyre dhe ndjekja e rekomandimeve i IKSHPS- së dhe MSH-së në mënyrë që ky parashikim, edhe nëse mendojmë më të keqen, të bëhet sa më pak raste dhe sa më pak pasoja. Kemi dy ekstreme deri tash, ku një pjesë e shteteve kanë menaxhuar me masa të rrepta dhe tjerat kanë neglizhuar në këtë situatë. Në shtetet ku është neglizhuar kemi një situatë ku janë duke u përballur me probleme të jashtëzakonshme, pavarësisht sistemit të lartë shëndetësor. Po ndodhi në Kosovë kjo neglizhencë, atëherë kemi frikën se sistemi ynë shëndetësor nuk do të mund t’i përballojë një fluksi të tillë”, tha ministri Vitia, raporton kp.
Naser Ramadani nga IKSHP ka përshkruar situatën epidemiologjike në vend, duke thënë se situata është nën kontroll duke iu falënderuar rekomandimeve të ministrisë dhe përmbajtjes së tyre nga ana e qytetarëve të Kosovës.
“Mbi 20 mijë raste i kemi kontrolluar. Në IKSHP gjatë 24 orëve janë duke u mbikëqyrur të gjitha kontaktet që kanë kaluar shifrën dy mijë. Rekomandimet që kemi dhënë ne duhet vazhduar ende t’i mbani si higjiena personale, duart të lahen sa më shpejt, mos prekja e fytyrës, nëse ka shenja klinike, të lajmëroheni në Infektivë, të pihet sa më shumë ujë, çaj me limon dhe të qëndrohet në shtëpi, duke ruajtur distancën dy metra sepse ajo pamundëson qarkullimin e virusit”, ka thënë Ramadani.
Duke folur rreth mundësisë së rritjes së testimeve të rasteve të dyshuara deri në 200-300 brenda ditës dhe nëse do të testohen të gjithë deputetët e Kuvendit që morën pjesë në seancën e fundit për shkarkimin e Qeverisë Kurti, Naser Ramadani tha se askush prej deputetëve, si qytetarë të vendit, nuk përjashtohet nga kjo.
“Sa i përket testimit të deputetëve, çdo deputet është qytetar dhe të gjithë këta i nënshtrohen dhe të gjithë këta i nënshtrohen protokolleve të MSH-së që rekomandojnë që të testohen sipas protokolleve si çdo qytetar që dyshohet me koronavirus ai edhe duhet të testohet në analizat laboratorike. Pra, askush nuk është i përjashtuar, por as i privilegjuar në këtë situatë”, tha Ramadani.
Në lidhje me personat e infektuara në veri, Ramadani ka konfirmuar se bë het fjalë për dy raste që kanë pasur kontakt me një person me COVID-19 në Serbi dhe se këto raste po mbahen nën kontroll pa asnjë problem.