Tahiri i PDK-së: Kurti e çorientoi drejtimin e Kosovës
Nga Partia Demokratike e Kosovës as dje në seancë deh as sot nuk kanë preferuar të komentojnë mbi prishjen e koalicionit qeverisës, LDK-VV. Ata folën përmes Memli Krasniqi në seancë, i cili e quajti këtë ngjarje si një dorëzim të Albin Kurtit.
Por kaq ka mjaftuar për ta deri më herët. Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, që ka qenë ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Haradinajt, ka shkruar në lidhje me rënien Qeverisë Kurti duke thënë se me këtë tashmë Kurti nuk mund të bëjë më dëme, por ka thënë se tashmë një dëm i madh është bërë.
“Sot, Albin Kurti nuk mund të bëjë më dëme, por me dëmet që i bëri Kosovës për kaq pak kohë, ia ka vonuar perspektivën dhe çorientuar drejtimin.
Prandaj, dje iu dha fund qeverisë së çorientimit. Shkoi qeveria, por shpëtoi shteti dhe e ardhmja, në krah me zhvillimin, integrimin dhe SHBA-në”, ka shkruar ai.
Ky është postimi i plotë:
Në këto momente aspak të lehta për shkak të pandemisë, shqetësimet janë mese të natyrshme e kujdesi mese i nevojshëm. Megjithëse në karantinë, jemi bashkë të gjithë e bashkërisht do dalim nga kjo. Por, krahas kësaj sfide, kemi përgjegjësi edhe ndaj të ardhmes.
Prandaj, dje u rrëzua qeveria e izolimit e sanksioneve. Ish kryeministri Kurti e nisi çorientimin e brendshëm përmes përçarjes dhe çorientimin e jashtëm përmes izolimit. E mori si asgjë paralajmërimin e SHBA-së për sanksione.
Si një mashtrues tipik, mendoi se mund të mashtrojë edhe përkundër paralajmërimeve. Kur u ndalën fondet e MCC-së, nuk i mori seriozisht. Kur u paralajmërua tërheqja e trupave, nuk e mori seriozisht. Kur u tërhoq investimi më i madh në Kosovën e pasluftës, jo vetëm që nuk e mori seriozisht, por edhe iu gëzua. Propaganda demagogjike Albin Kurtit fatkeqësisht doli në shesh kur po bëhej vonë. Kur sanksionet veçse kishin mbërritur. Nga tre vendet më të veçuara në botë për mbështetje nga SHBA-ja, në një vend ndaj të cilit SHBA-ja ndërmerr masa. Nga shteti më pro-amerikan e me orientim të qartë, në një qeveri pa orientim ose orientim kundër SHBA-së.
Sot, Albin Kurti nuk mund të bëjë më dëme, por me dëmet që i bëri Kosovës për kaq pak kohë, ia ka vonuar perspektivën dhe çorientuar drejtimin.
Prandaj, dje iu dha fund qeverisë së çorientimit. Shkoi qeveria, por shpëtoi shteti dhe e ardhmja, në krah me zhvillimin, integrimin dhe SHBA-në.