Analistët thonë se Kurti mund ta pësojë keq në zgjedhje nëse vazhdon me hakmarrje e inate
Kuvendi i Kosovës me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim ka votuar për rrëzimit të qeverisë së Kosovës.
Gjatë orëve të mbrëmjes të së mërkurës 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan pro rrëzimit të Qeverisë, ndërkaq 32 ishin kurndër dhe vetëm një deputet kishte abstenuar.
Pas votimit në Kuvendin e Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte liruar nga detyra e zëvendëskryeministrit të parë, Avdullah Hotin, i cili është nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Mirëpo, analistët kanë vlerësuar se kjo nuk është që mund të shihet si hakmarrje, por më shumë si qëndrim i Hotit karshi qeverisjes dhe qeverisë.
Rasim Alija, analist politik ka thënë për lajmi.net, se ka qenë fjalimi i Hotit në seancën e mocionit për mosbesimin e Qeverisë faktori kryesor që mund ta ketë çuar Kurtin në vendimin për lirimin e tij nga posti i zëvendëskryeministrit të parë.
Sipas Aliajt, ky vendim është përtej hakmarrjes dhe se LDK-ja nuk ka lënë derë tjetër përveç shkarkimit të Hotit.
“Në rrethanat ku partneri kryesor i koalicionit mban qëndrime të tilla edhe mbi të gjitha votohet mocioni i mosbesimit natën e mbrëmshme edhe pastaj kthehet ose vije në sallë zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës dhe e mban fjalimin siç e mban e tregon edhe formën edhe përmbajtjen edhe idenë me atë se krejt çka fshihet prapa kësaj pjesë të mocionit mosbesimit që është votuar mbrmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo i bie që jo vetëm hakmarrje mirëpo, nuk ka lënë derë tjerë tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës në këtë rast zotëri Hoti përpos shkarkimit. Pra kjo është përtej hakmarrjes që mund të shihet apo interpretohet nga dikush si hakmarrje, por është edhe penalizim për vetë qasjen e zotëri Hotit edhe atij fjalimi që e ka mbajtur dje para se të votohej mocioni i mo besimit. Pra me një partner që ke qenë deri në minutën e fundit, pavarësisht qëndrimeve apo mospajtimeve të mbash fjalime të tilla ku menjëherë lëshohesh në akuza kundër partnerit tëndë kryesor në qeverisje, edhe mbi të gjitha ku ke qenë zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ablosutisht që tregon edhe për një lloj tradhtie që i bëhet vetë natyrës së qeverisjes, jo Lëvizjes Vetëvendosje, jo koalicionit, mirëpo është njëfarë lloj tradhtie e vet vendit të punës si zëvendëskryeministrut të parë, pjesë e qeverisë me të cilën ke bërë pjesë edhe ke marrë vendime së bashku me gjithë kabinetin qeveritar”, u shpreh Alija.
Pas rrëzimit të qeverisë, Alija thotë se Kurti në asnjë mënyrë nuk bën që të marrë vendime në bazë hakmarrjeje apo në bazë të inateve pasi që sipas tij, kjo Kurtit mund t’i kushtojë shumë në zgjedhjet e ardhshme.
Ai po ashtu ka thënë se nuk pret që Kurti të veprojë në mënyrë të njëjtë edhe me ministrat e tjerë në detyrë që janë nga radhët e LDK-së.
“Jo absolutisht dhe kjo është arsyeja përse po e theksoj dhe po e them që nuk ka qenë hakmarrje sepse nuk besoj që zotëri Kurti e ka dëshmuar deri tani se mund të veproj në bazë të hakmarrjes. Është mjaftueshëm inteligjent në politikë sa të mos bëj veprime që edhe në elektorat të shihen si hakmarrje, sepse shumë shpejt do të kemi zgjedhje në qoftë se jo brenda dy muajve të ardhshëm, në verën e këtoj viti patjetër që do të krijohen rrethanat që do të mbahen zgjedhjet dhe një hakmarrje ose tip i hakmarrjes së vendimeve që kanë si arsye hakmarrjen, e din zotëri Kurti që nuk do të mund të shiheshin mirë në elektoratin e secilit subjekt politik. Pra nuk besoj që veprimi i tij do të përkthehet në hakmarrje për ministrat e tjerë, aq më shumë kur dje gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka pasur lëvdata të mëdha për ministrat e LDK-së për kabinetin e tij. Madje ka deklaruar se është krenar për ditët e qeverisjes së tij me të gjithë kabinetin e ministrave, këtu në mënyrë specifike ka përmendur edhe emra të përveçëm dhe kujtojmë edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që kanë përmendur edhe emrat e ministrave të LDK-së, siç është Lumir Abdixhiku, Anton Quni e zonja Hykmete Bajrami, që kanë bërë një punë fantastike dhe mbi të gjitha kanë qenë edhe bashkëpunues sa i përket këtyre 50 ditëve të qeverisjes Vetëvendosje-LDK. Pra nuk besoj që do të mund të ketë hakmarrje sepse edhe nuk ka arsye mirpëo, edhe nuk është e logjikshme që ministrat të cilët kanë qenë të suksesshëm për këto 50 ditë që të shkarkohen”, theksoi Alija.
Në anën tjetër, Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu”, ka thënë për lajmi.net, se shkarkimi i Hotit ka mund të bëhet pikërisht për shkak të fjalimit të tij në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.
“Arsyen më të mirë pse e ka marrë këtë vendim për me shkarkua e din vetë kryeministri Kurti. Por në një mënyrë ndoshta edhe mund të interpretohet pak se ka qenë pak çështje e fjalimit që zotëri Hoti ka mbajtur ditën e djeshme në seancën e djeshme në Kuvend edhe për një arsye të tillë ka mbet si revansh që zotëri Kurti të marrë vendimin për me shkarkua. Por ai është kryeministër në detyrë edhe ka të drejtë me e shkarkua cilindo prej ministrave që janë të LDK-së, sepse kryeministri ka një të drejtë të tillë, por mbi logjikën e asaj se çka është folur dje në Kuvend nga ana e deputetëve të LDK-së ose e gjithë njerëzve të LDK-së në përgjithësi, atëherë është dashur që të shkarkohen të gjithë ministrat e LDK-së për shkak se u panë që qëndrimet ishin të gjitha të partisë ato që i paraqiti edhe zotëri Hoti edhe të tjerët”, u shpreh Demhasaj.
Sipas tij, Kurti nuk guxon të veprojë me këtë avaz sepse kjo nuk çon askund.
“Por unë mendoj se nuk duhet të vazhdohet me inate sepse kjo nuk të çon askund. Pra duhet qeveria që të funksionimin e një qeverie të re me të gjithë këta ministra, që tashmë janë ministra në detyrë. Duhet të punojnë sa më mirë dhe të kenë një bashkëpunim edhe me kryeministrin edhe me të gjithë ministrat dhe zëvendëskryeministrat në mënyrë që të mos mbetet ndonjë boshllëk në njërin prej dikastereve aktual”, tha Demhasaj për lajmi.net.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një prononcim për KosovaPress ka bërë të ditur se, pavarësisht vendimit të Kuvendit për rrëzim të ekzekutivit, puna e Qeverisë po vazhdon me intensitet të lartë.
Ai ka bërë të ditur se, të gjithë ministrat janë në krye të detyrës, përfshirë ata nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partneri i koalicionit që inicioi mocion mosbesimi për rrëzimin e Kurtit.
Kryeziu po ashtu është shprehur se të gjithë ministrat kanë përgjegjësi specifike në raport me menaxhimin e situatës së krijuar me përhapjen e koronavirusit të ri Covid-19.
Ai pret që ministrat e LDK-së të vazhdojnë punën e tyre, njësoj si ata të Lëvizjes Vetëvendosje, deri në një vendim tjetër të Kuvendit.