Sa rrezikon të dënohet mjeku kosovar që hapi klinikën e infektoi punëtorët dhe familjen me Koronavirus
Një mjek nga komuna e Klinës ka shfrytëzuar kohën dhe gjendjen e rëndë në Kosovë kur po përballemi me koronavirusin dhe ka vazhduar punën në klinikën e tij private. Mjeku që tash dyshohet se infektoi punëtorët e familjen, sipas ligjeve të fuqi të Kosovës rrezikon të dënohet goxha rënd, shkruan FaktePlus.
Mjeku që ka hapur ordinancën e tij ka rënë në kundërshtim me vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, për mbylljen e ordinancave private për shkak të shmangies të shpërndarjes nga koronavirusit.
E tash situata është goxha serioze, pasi dyshohet se mjeku dhe punëtorët e tij kanë pasur kontakte me pacientë të prekur me koronavirus dhe ka rrezik që kanë infektuar familjet e tyre dhe njerëz të tjerë.
“Dej rreth orës 17:00 është raportuar se në rrugën “Sadik Rama” në Klinë i dyshuari mashkull kosovar (mjek), është hasur duke punuar në klinikën e tij private duke rënë në kundërshtim me vendimet e marra. I njëjti është vetë izoluar me punëtorët dhe familjen e tij pasi që dyshohet se ka pasur kontakt me disa klient që dyshohet të jenë të infektuar”, thuhet në raportin e policisë.
Kujtojmë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar masat e reja me kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së virusit COVID-19.
Madje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur në mbledhjen e mbajtur tri ditë më parë që të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve, si masë për mbrojtje nga koronavirusi apo COVID-19.
Mes tjerash është vendosur që edhe lëvizja e qytetarëve të kufizohet nga ora 10:00 deri në 16:00 dhe nga 20:00 deri në 6:00. Kështu qytetarët mund të dalin për t’u furnizuar me artikuj e kryer ndonjë punë të rëndësishme, paradite vetëm prej orës 6:00 deri në ora 10:00, kurse pasdite nga ora 16:00 deri në orën 20:00.
Këto vendime Qeveria tha se i mori bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse.
Deri tani në Kosovë numri i të infektuarve është 71, kurse ka vetëm një të vdekur dhe 2 tjerë janë drejt shërimit nga Covid-19.
Por sa rrezikon të dënohet mjeku dhe kushdo tjetër që nuk zbaton vendimet për ndalimin e përhapjes së koronavirusit
Këto ditë qytetarët duhet pasur kujdes dhe të respektojnë vendimet nga institucionet në mënyrë që mos të përhapet edhe më shumë COVID-19, i cili po sjell vdekje të mëdha nëpër botë.
E ata që nuk respektojnë vendimet, ligjet parashohin dënime të ashpra.
Në bazë të ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, përpos institucioneve duhet të marrin pjesë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në rast të mos zbatimit të këtyre masave qytetarët mund të ndëshkohen nga 1 mijë deri në 2 mijë euro, ndërsa personat juridik nga 3 mijë deri në 8 mijë euro.
Me këto gjoba mund të ndëshkoheni edhe në rastet kur konstatoni sëmundjen dhe nuk e paraqisni, nuk i zbatoni masat higjienike dhe masat e tjera për mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse.
Nga 250 deri 1 mijë euro mund të ndëshkoheni në rast se refuzoni të izoloheni apo të shtriheni në spital, në rast se vazhdoni të punoni ndonëse jeni i sëmurë me sëmundje ngjitëse.
Nga 1 mijë deri në 2 mijë euro mund të ndëshkoheni në rast se mbani në punë personin i cili ka sëmundje ngjitëse.
Theksojmë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar masat e reja me kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së virusit COVID-19 si në vijim:
Vendimet e Qeverisë:
Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);
Mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomik të klasifikuar si më të rëndësishëm sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit;
Lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët;
Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura — përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit;
Obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi./FaktePlus