Kurti thotë se Grenell favorizoi Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pak minuta para se në Kuvend të votohej mocioni për rrëzimin e Qeverisë së tij, foli edhe një herë për arsyet që kanë çuar deri te kjo situatë.
Kurti ndër të tjera përmendi edhe të Dërguarin e Posaçëm të Amerikës për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell duke thënë se komunikimi me Grenell ishte shumë më i vështirë seç ishin mësuar me diplomatët e tjerë.
Kurti, ndër të tjera akuzoi Grenellin se ka favorizuar Serbinë, në momentin që nga Kosova kërkonte heqjen e taksës, derisa në anën tjetër nga Serbia nuk kërkohej e njëjta gjë sa i përket fushatës së çnjohjeve.
“Nuk bëhej marrëveshja pa më thyer mua. Prandaj nuk u bë marrëveshja sepse ishte gati. Taksa duhet të hiqet tërësisht dhe pa reciprocitet. Këtë e ka thënë vetëm ambasadori Grenell me të cilin komunikimi nuk është aspak e lehtë sepse mndësia është tjetër seç jemi mësuar me diplomatët e tjerë. Unë kam me metra mesazhe thotë. Vetëm ai thotë hiqe taksën pikë, ska reciprocitet. Por mua më duhet ti mbroj interesat e Kosovës, ashtu siç i kam fituar zgjedhjet. Ajo çka më ka lënë më shumë përshtypje është fakti se Grenell e braktisi komunikatën e Quintit ku kritikohej qasja e Kosovës për taksën por kritikohej edhe fushata e Serbisë për çnjohje. Këtë pjesën e dytë të Quintit, ambasadori na ka thënë tri herë gjatë takimit në Prishtinë, por dikur më vonë këtë pjesën e dytë e la dhe aty filloi vështirësimi i komunikimit sepse kur u kërkuar që Serbia ta ndalë fushatën aty u braktis nga ambasadori Grenell”, tha ndër të tjera Kurti.