Lirohen përkohësisht nga pagesa e TVSH-së importet e grurit dhe miellit
Administrata Tatimore e Kosovës njofton se janë liruar përkohësisht nga pagesa e TVSH-së të gjitha importet e grurit dhe miellit, për prodhimin e bukës dhe produkteve të bukës.
Ky vendim, sipas tyre, erdhi me qëllim të zbatimit të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe vendimit të Ministrit të Financave dhe Transfereve për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona Virus – COVID 19.
“Të gjitha bizneset prodhuese si dhe kontraktuesit e tyre, lirohen nga pagesa e TVSH-së me rastin e importimit të grurit dhe miellit, që përdoren për prodhimin e bukës dhe produkteve të bukës, pa pasur nevojë që të parashtrojnë kërkesë të veçantë për lirim në Administratën Tatimore të Kosovës”.
“Pra, pavarësisht se importi i grurit dhe miellit, i cili përdoret për prodhimin e bukës dhe produkteve të bukës bëhet nga vet prodhuesi apo kontraktori i tij në emër të prodhuesit, lirohet nga pagesa e TVSH-së me rastin e importimit, pa parashtruar kërkesë të veçantë për lirim në Administratën Tatimore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e ATK-së.