Malisheva më e goditura nga koronavirusi me 22 raste, kështu radhitën qytetet e tjera
Me 14 raste të reja rajoni i Malishevës është prekur më së shumti me raste me koronavirus deri më tani, numri i përgjithshëm në këtë komunë ka arritur në 22.
Pas Malishevës është Gjilani me 14 raste, sonte IKSHPK njoftoi për 11 raste të reja,.
Vitia deri më tani ka 7 raste me virusin korona, Prishtina katër raste, Gjakova pesë raste, Podujeva tre raste, Suhareka, Klina, Ferizaj, Obiliqi, Prizreni, Lipjani dhe Shtimja kanë nga një rast.
Kujtojmë, se sonte Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka bërë të ditur se ka testuar 100 mostra të marra në hulumtim të personave që kanë qenë në kontakt të afërt me rastet e konfirmuara dhe të gjithë kanë qenë në vetë izolim, prej tyre 26 kanë rezultuar pozitiv me virusin korona.
“Sonte me 23.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar njëqind (100) mostra të marra në hulumtim të personave që kanë qenë në kontakt të afërt me rastet e konfirmuara dhe të gjithë kanë qenë në vetë izolim, përveç një rasti nga fshati Panorc, Malishevë i shtrirë në Klinikën Infektive. Testimi në numër kaq i madh është bërë me qëllim të gjurmimit të të gjitha kontakteve të rasteve të konfirmuara të cilat janë gjet në mënyrë proaktive nga ekipet e IKShPK. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, njëzet e gjashtë (26) prej tyre kanë rezultuar pozitive.
Nga 26 rastet e konfirmuara të gjitha janë kontakte të gjurmuara të rasteve pozitive (familjarë dhe kontakte të ngushta), të detektuara përmes hulumtimit aktiv epidemiologjik. Prej tyre 14 raste janë nga komuna e Malishevës, 11 raste nga Gjilani dhe 1 rast nga Gjakova.
Nga data 08.02.2020 deri me 23.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 690 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej gjashtëdhjetë e një (61) raste kanë rezultuar pozitive, me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç”, thuhet në njoftim.