Nëntë ditë Vitia në karantinë, Haliti kërkon ndihmë edhe për ushqim
Tash e nëntë ditë komuna e Vitisë është e izoluar për shkak të koronavirusit.
Në tërë Kosovën janë regjistruar 35 raste me koronavirus dhe një person ka humbur jetën mirëpo, komuna e Vitisë është në mesin e komunave me më së shumti të infektuar me COVID-19.
Në Viti janë shtatë persona të cilët janë konfirmuar me koronavirus dhe tash e nëntë ditë që kjo komunë është në karantinë.
I pari i Vitisë, Sokol Haliti, në një prononcim për medie, ka bërë të ditur se përveç mjeteve mbrojtëse mjekësore, kjo komunë ka nevojë edhe për ushqim.
“Sa i përket furnizimeve, kemi nevojë për shkak se tash është dita e nëntë që jemi të izoluar si komunë, pra jemi në karantinë dhe na nevojitet do me thënë furnizime jo vetëm me barna esenciale e me pajisje mbrojtëse, por na nevojitet edhe ushqim. Për shkak se një numër i komponentës sociale kanë filluar me kërkua. Ne nuk kemi ndenjur duarkryq, afër 200 pako ushqimore i kemi shpërndarë deri më tash, falë donatorëve dhe kapaciteteve komunale. Sa kemi pasur mundësi i kemi mbuluar kërkesat në terren. Nuk është fjala vetëm për këta që janë familjarë të të prekurve me koronavirus, janë edhe të tjerët që kanë nevojë për shkak se ne i kemi mbi 50 mijë banorë. Po kemi bërë kërkesë edhe në Qeveri edhe në Ministri të Shëndetësisë, edhe me shkrim edhe me gojë kemi bërë kërkesë dhe ne po presim ndihma”, është shprehur Haliti.
Ai ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka dërguar pajisje mjekësore mbrojtëse, por që sipas tij, këto ndihma nuk janë të mjaftueshme.
Sipas tij, pavarësisht kërkesave që i kanë bërë në qeveri dhe në MSH, ato janë të pakta dhe ka kërkuar reflektim më të madh nga organet qendrore.
“Kemi bërë kërkesë edhe në Qeveri edhe në Ministri të Shëndetësisë, edhe me shkrim edhe me gojë kemi bërë kërkesë dhe ne po presim ndihma. Ato që kanë ardhur pajisjet mbrojtëse e medicinale vërtetë janë shumë pak, prandaj po presim që të na vijë një kontingjent tjetër. Normalisht ne po presim që shumë shpejtë qeveria të reflektojë dhe të na ndihmojë, përndryshe ne jemi komuna më e dëmtuar sa i përket infektimit nga koronavirusi. Jemi komuna e parë që jemi prekur dhe kemi pritur që të na ndihmojnë shumë më shumë dhe të presim më shumë ndihma, por tash nuk e di pse janë vonuar këto veprime e vendime”, theksoi Haliti për lajmi.net.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se fatmirësisht ende nuk ka ndonjë rast të ri me koronavirus dhe se është një çift i vetizoluar ndërkaq pesë persona të tjerë janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në QKUK.
“Janë në shtëpi të izoluar dhe janë marrë masa për vetizolim dhe ata që janë vetizoluar e kanë bërë me kohë këtë dhe një pjesë e tyre kanë qenë të spitalizuar, dy bashkëshortët janë kthyer nga spitali dhe janë vetizoluar në shtëpi duke i respektuar rregullat gjë që i falënderojmë shumë”, tregoi Haliti.