Ka miell me bollëk, Ministria e Bujqësisë thotë se nuk do të ketë mungesa
65 deri në 70 për qind të kërkesave për furnizim me miell Kosova po arrin t’i realizojë përmes prodhimit në vend.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, në një konferencë për media ka thënë se vendi nuk pritet të përballet me mungesë të nevojave elementare të ushqimit, raporton KOHA.
Ndërsa kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, tha se bazuar në të dhënat e Doganës, në Kosovë në 5 ditët e fundit janë importuar më shumë se 2 milionë kilogramë grurë.
Ministria e Bujqësisë këtë të hënë ka ndërmarrë një sërë lehtësirash në formë subvencioni për të rritur prodhimin vendor në këtë kohë emergjence.
Deri më tani Ministria e Bujqësisë ka realizuar mbi 2 milionë euro pagesa për përfituesit e granteve dhe subvencioneve.
Ndërsa ka shtyrë përkohësisht afatet për zbatimin e projekteve përfituese të grandeve të vitit 2019 në mënyrë që bujqit të mos ndëshkohen.