Ministria e Brendshme dënon rastin e kanosjes ndaj gazetarit Buzhala
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bajram Gecaj, e ka dënuar rastin e kanosjes dhe fyerjes ndaj gazetarit Berat Buzhala.
Sipas tij, fjala e lirë mund edhe mos të na pëlqejë ndonjëherë, mund edhe mos të jetë e saktë fare, shpesh ndodhë edhe të jetë tendencioze, e çfarëdo tjetër, por çdoherë duhet të jetë e lirë, dhe e konfrontueshme vetëm me fjalën tjetër të lirë dhe me forcën e argumenteve.
“Përdorimi i forcës e i dhunës kundër fjalës së lirë rrezikon të na shndërrojë në një shoqëri të errët dhe pa të ardhme demokratike. Tentim-sulmi ndaj gazetarit Berat Buzhala është krejtësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm. Unë mbrëmë kam kontaktuar me përgjegjësit e Policisë së Kosovës dhe kam kërkuar e insistuar që ata të bëjnë të pamundurën për të ndriçuar këtë rast potencial, sulmin ndaj një të drejte bazike individuale, të sanksionuar edhe me nenin 40 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“Rasti është regjistruar sot si një rast i kanosjes dhe i fyerjes, dhe Policia e Kosovës do të punojë seriozisht në ndriçimin e tij. Ndërsa, i porosisim rrugaçët e vagabondët se qytetarët kanë pritje nga qeveria e shpresës që ndryshimet të instalohen edhe në këtë domen të rëndësishëm të lirive njerëzore në vendin tonë. Prandaj, sulmuesit e tillë potencial i porosisim se “drejtësia mund të vonojë, por nuk harron”, dhe se veprimet e tilla nuk do të tolerohen asnjëherë”.