Ismaili: Në prag të rrëzimit të Qeverisë, LDK dhe VV me fyerje e kërcënime
Ish- ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka thënë se sot për shkakë të pandemisë është anuluar xhumaja, ashtu siç janë anuluar edhe meshat.
Sipas tij, në këtë klimë sakrificash, acarimet polirike vazhdojnë mes LDK-së dhe VV-së.
“E në këtë klimë sakrificash dhe gjendje ankthi kolektiv, acarimet politike po vazhdojnë me akuzat mes LVV-së dhe LDK-së. Për gabime dhe kërkimfalje. Në prag të rrëzimit të Qeverisë, diskursi i tyre është i mbushur me fyerje dhe kërcënime. Në njërën anë thonë – “Kurti gaboi”, e në anën tjetër policët moralë thonë – “Kurti nuk gabon kurrë. Ai nuk nënshtrohet””, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Shkrimi i tij i plotë në Facebook:
NJË E PREMTE E PAZAKONTË
Për praktikuesit e fesë islame, dita e premte është e veçantë. Një ditë kjo, kur besimtari bashkohet me të tjerë që nuk i njeh, por lidhen me një qëllim. T’i luten Zotit. T’i përulen, të bindur dhe të nënshtruar me besim.
E kam përjetuar shumë herë këtë moment spiritual, që fal qetësi dhe jep shpresë për një shpërblim më të madh më vonë.
E tillë është edhe mesha e së dielës për besimtarët e krishterë.
Sot, për shkak të pandemisë, si shumëçka tjetër, edhe xhumaja, edhe meshat, janë anuluar. Një vendim ky që për herë të parë po provohet në Kosovë, që prej pasluftës. Sakrificat janë për secilin, pa përjashtim. Jemi të bashkuar në sakrificë, për ta mposhtur armikun e ri dhe të padukshëm që po e sulmon njerëzimin.
E në këtë klimë sakrificash dhe gjendje ankthi kolektiv, acarimet politike po vazhdojnë me akuzat mes LVV-së dhe LDK-së. Për gabime dhe kërkimfalje. Në prag të rrëzimit të Qeverisë, diskursi i tyre është i mbushur me fyerje dhe kërcënime. Në njërën anë thonë – “Kurti gaboi”, e në anën tjetër policët moralë thonë – “Kurti nuk gabon kurrë. Ai nuk nënshtrohet”.
Fitorja në politikë është për t’u përkthyer në investime për qytetarët, e jo për t’ua kthyer shpinën atyre. Për ta përdorur mbështetjen për unifikim, e jo për përçarje. Polarizimet mes mbështetësve të Albin Kurtit dhe LDK-së, që tani kanë gjetur armikun mes njëri-tjetrit, tregojnë se në çfarë tensioni politik është Kosova.
E qytetarët vazhdojnë të sakrifikojnë.
E coronavirusi shpërndahet, shumohet, në heshtje, si armik i ftohtë. Rritet nga mungesa e vullnetit politik për t’i testuar ata që potencialisht mund të jenë prekur dhe ata që janë në karantinë. Rritet nga shpenzimi i energjisë politike në “Kurti gaboi. Kurti nuk gabon kurrë. Ai nuk nënshtrohet”, thuajse Kosova është në shërbim të tij, e jo Kryeministri në shërbim të vendit.
E ne përçahemi më tutje dhe kërcasim në dritare e ballkone, kur një botë e tërë aktivitetet i ka me këngë e duartrokitje, për të thënë – “jemi bashkë”.
Në fund, për gjithë këtë klimë dëshpërimi që keni shkaktuar, mos harroni ta fajësoni PDK-në. Është arsyetimi juaj më i lehtë për paaftësinë tuaj dhe përçarjen që shkaktoni./FaktePlus