Instituti EPIK: Heqja e tarifës e kthen Kosovën në rrugën drejt BE-së
Sot Qeveria e Kosovës filloi heqjen graduale të tarifës 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, e që krejtësisht pritet të hiqet më 1 prill.
Instituti EPIK thotë se e mirëpret vendimin e sotëm të Qeverisë, pasi që tarifa 100% është në shkelje të Marrëveshjes për Tregti të Lire të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes Stabilizim Asociimi (MSA).
“Vendimi i sotëm siguron që Kosova të respektojë obligimet që burojnë nga procesi integrues, avancon bashkëpunimin rajonal dhe krijon mjedis të nevojshëm politik për avancimin e perspektives Evropiane të Kosovës. Ne ftojmë Qeverinë e Kosovës që të angazhohet në mirëbesim në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, juridikisht të obligueshëm për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me kërkesat e BE-së”, thuhet në komunikatën e Institutit EPIK.
Kurti njofton se sonte hapen gjashtë pika kufitare mes Kosovës e Serbisë për importin e lëndës së parë
Tutje thuhet se ashtu siç është cekur edhe në Strategjinë e Zgjerimit të shkurtit 2018: “Arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, juridikisht të obligueshëm për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë është urgjente dhe kyçe për avancimin e rrugës Evropiane të vendeve respektive”.
Në këtë drejtim, sipas EPIK, i gjithë spektri politik duhet të tregojë unitet të plotë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, pasi që dialogu nuk do të merr fund me asnjë qeveri të vetme. Arritja e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të jetë fillimi i normalizimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve – jo fundi i tij.
“Arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve nuk duhet parë si qëllim, por si mjet për të filluar një proces të gjatë, të pranimit të dy vendeve sovrane dhe qytetarëve të tyre, si fqinjë te ardhshëm në një hapësirë e cila nesër do jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe proces i cili nuk do harron të kaluarën, por një procesi i cili do siguroj kërkim-faljen dhe pranim-faljen nga dy vende respektive përhirë të ardhmes më të mirë të tyre”, thuhet në komunikatë.
Në fund, Instituti EPIK u bën thirrje të gjitha institucioneve dhe akterëve politikë të përmbahen nga gjuha polarizuese dhe tendencioze drejt aleatit strategjik të Kosovës – Bashkimit Evropian./FaktePlus