Lipjani rrit mobilizimin pas rastit të parë me koronavirus
Pas rastit të konfirmuar se në Janjevë të Lipjanit është prekur një 46 vjeçar i ardhur nga Gjermania me virusin COVID-19, komuna ka njoftuar se do të vazhdojnë të mobilizohen edhe më shumë për ta parandaluar përhapjen e tij.
Zëdhënësi i komunës, Diamant Bytyqi, ka thënë për Kohën se janë marrë të gjitha masat e kërkuara nga plani i ministrisë së shëndetësisë.
“Me kohë është bërë dezinfektimi i institucioneve publike, QKMF, AMF, institucioneve parashkollore dhe shkollore, autobusët, bibliotekat dhe hapësirat tjera publike. Jemi duke bërë përpjekje për t’i marrë edhe masat tjera të nevojshme për rastet e dyshuara dhe të prekura. Mirëpo në rrethana të tilla po e presim edhe ndihmën e ministrisë dhe institutit për menaxhimin e situatës”, ka thënë Bytyqi.
Ai i ka dëshiruar shërim të shpejtë 46 vjeçarit nga Janjeva dhe uron që mos të përsëriten rastet të tilla.
Ky rast ka çuar në 21 numrin e të prekurve me koronavirus në tërë Republikën e Kosovës./FaktePlus