Kusari-Lila: Kurti ballafaqohet me problemet që i shkaktuan ata me të cilët u takua Mustafa sot
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë të gjitha arsyet e mocionit të mosbesimit që u përmenden nga LDK-ja nuk janë më me rëndësi se sa situata në të cilën ndodhet vendi tani.
Sipas saj, deklaratat e kreut të LDK-së, Isa Mustafa, nuk ishin në përputhshmëri me logjikën dhe përvojën e tij politike.
Kusari-Lila në Rubikon të KTV-së ka thënë se nëse kryeministri do të dilte dhe të bënte deklaratë për heqjen e taksës në kundërshti me parimet që i kishin negociuar me LDK-në, atëherë do të mund të kishte një reagim të tillë.
“E patëm një situatë më të komplikuar, gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur luftën me institucionin e Presidentit i cili ka imponuar mbi Qeverinë dhe Kuvendin në raport me kompetencat e tij. Presidenti ka dashur të marrë kompetencat edhe në situatën me koronavirusin. Për situata të jashtëzakonshme merren edhe masa të jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.
Ajo thotë se në Serbi ka pasur kritika sepse Vuçiq e bëri atë që tentoi ta bënte Thaçi në Kosovë.
Kusari-Lila thotë se dy ditë më herët Thaçi tentoi ta dërgonte dekretin për gjendje të jashtëzakonshme, e më vonë pas asaj që ndodhi, iu zbeh dëshira.
“LDK-ja është e bashkërenduar me Thaçin. Së pari Mustafa kërkoi gjendje të jashtëzakonshme, pastaj presidenti deklarohet se ka pasur konsultime me të, i bie që kanë qenë në bashkërendim. Në kohën kur ishim në procesin e negociatave qëndrimi i LDK-së ka qenë se nëse ata nuk arrijnë marrëveshje, do të lëshojnë rrugë dhe do ta lënë Kurtin të krijojë Qeveri. Në këtë rast nuk po ndodh tërheqja e LDK-së. Mustafa tha mbrëmë se nuk do të tërhiqen nga Qeveria. Pse është koha pra për të ndërruar partner në Qeveri pra”, ka shtuar ajo.
Ajo ka thënë se kanë mundur që hapat të bëhen ndryshe e të mos shkarkohet Veliu.
Sipas saj, nëse Qeveria është krijuar për të qeverisur ndryshe e për të ndërruar mënyrën e vendimmarrjes, si mundet me qenë Kurti më i dëmshëm se sa ata që ishin më herët në Qeveri.
Ajo thotë se Kurti ballafaqohet me problemet maksimale që janë bërë nga ata të cilët i ka takuar Mustafa.
“Nëse ky partner qenka jo-amerikan, si mundet me qenë Haradinaj më proamerikan i cili ka shkuar në shtëpi pikërisht për shkak të taksës. Ose si mundet me qenë edhe Limaj i cili ka pasur konflikt me ambasadën e Amerikës për shkelje të rendit dhe ligjit. Ne jemi taku javën e kaluar për ta kaluar buxhetin, në mënyrë që mos të takohemi më, që të mos shkaktojmë rrezik. Ajo çka do të ndodhë tash me mocionin e mosbesimit është shkelje e rregullave dhe normave të standardeve botërore. Unë kërkoj sonte publikisht që në atë seancë të vije Mustafa e Haradinaj dhe t’i sjellin të gjithë bashkëpunëtoret dhe kryesitë që e votojnë dhe nëse është një i infektuar të gjithë të ballafaqohemi me rrezikun e njëjtë”, ka thënë ajo./FaktePlus