Tregon publikisht deputeti i LDK-së pse nuk e dha nënshkrimin për mocionin
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka bërë të ditur se bashkë me Vjosa Osmanin, ishin edhe dy deputetë të LDK’së që nuk nënshkruan mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë Kurti.
Haxhi Avdyli ka pranuar publikisht se nuk e ka nënshkruar këtë mocion.
‘’Dua të konfirmoj opinionin e mediat që unë si deputet i LDK-së nuk e kam nënshkruar mocionin për shkarkimin e Kryeministrit Albin Kurtit. Arsyet për këtë veprim janë situata e rëndë pandemike që ndodhet vendi dhe paqartësia e veprimeve të ardhshme politike për dalje nga kriza institucionale që rrezikojmë të futemi’’, thotë ai.
Pos Avdylit, mocionin nuk e ka nënshkruar edhe deputetja Valentina Bunjaku.
Ndryshe, pas lidhjes së koalicionit mes VV’së dhe LDK’së, ishte Avdyli ai që kishte akuzuar Skender Hysenin që ishte munduar të sabotonte lidhjen e koalicionit me VV’në, për të shkuar me PDK’në.