Rexhep Selimi e quan tradhti mocionin e LDK-së
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se ka qenë e pritshme që LDK të tërhiqet nga Qeveria.
“Nuk besoj se themi ndonjë lajm që të themi se ka qenë e pritshme. Duke iu referuar një të kaluare jo fort të largët ku me gjithë situatën e rëndë me Koronavirusin dhe punën që po bënë Qeveria, kemi qenë të shtyrë dhe nën presion këto ditë sa i përket kërkesës së Serbisë për heqjen e taksës. Aktorë e faktorë e kanë mbajtur Qeverinë nën presion që për ne nuk është prioritet”, ka thënë Selimi, njofton Klan Kosova.
“Është e drejtë e partnerit të tradhtojë kur të dojë. Po e presim me lehtësi këtë zhvillim që duket se mund të çojë në zgjedhje të reja. Pati përpjekje që vendi të futet në krizë pa buxhet nga opozita, tash po tentojnë ta pamundësojnë punën e Qeverisë për menaxhimin e situatës së pandemisë”.
Selimi ka thënë se Qeveria po i kryen punët e veta.
“Në rrethanat e tanishme kushdo që shëndetin e qytetarëve e nxjerr në vend të dytë ka bërë zgjedhjen më të gabuar të mundshme. Nuk i dëshirojmë zgjedhjet por nuk do të dorëzohemi. Po ecim në atë që është prioritet, është shëndeti i qytetarëve”./FaktePlus