Kurti: LDK shkeli marrëveshjen e para, Veliu deshi të bëhet më katolik se papa
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, në natën e së mërkurës, pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të prishur koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje që ai e drejton.
“E kam thënë, edhe sot e them që e kemi LDK’në partner. Ne duam ta kemi LDK’në në koalicionin qeverisës”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.
“Nuk besoj se LDK’ja do të duhej të identifikohej me deklaratën e mbrëmshme (për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme)”, ka thënë kryeministri, duke iu referuar qëndrimit të ministrit të Brendshëm, Agim Veliu, të cilin sot e shkarkoi nga detyra.
“S’mund të thuash ‘po sigurisht’, s’mundet ministri të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në mesnatë”, ka vlerësuar Kurti.
“LDK’ja s’do do të duhej të identifikohej me deklaratën e mesnatës të njërit ministër, i cili nuk mban atë qëndrim në mbledhjet e brendshme, e pastaj del kundër kryeministrit”, ka theksuar ai.
“Kur kemi qenë në negociata për formimin e koalicionit qeverisës, e kemi thënë qartë: duam bashkëpunim, dhe duam respektim, dhe për këtë e kemi marrëveshjen me tekst, e po ashtu edhe programin qeverisës tash”, ka kujtuar Kurti.
Ai ka cituar një pjesë të marrëveshes, që parasheh “zëvendësimin e tarifave ndaj mallrave të Serbisë me masa të reciprocitetit të plotë”.
“Nëse deklaroni ndryshe, jeni jashtë programit”, ka thënë Kurti, duke iu referuar kërkesës së LDK’së që Qeveria ta heqë tarifën ndaj Serbisë, plotësisht e pa kushte.
Kurti ka cituar edhe një fjali tjetër të marrëveshjes: “Sa i përket tarifës, do të zëvendësohet me masa të reciprocitetit të plotë me Serbinë.
“S’mund të thuash të hiqet tarifa e të harrohet reciprociteti”, ka deklaruar Kurti. “Dua edhe më tutje bashkëpunim, veçse duhet t’i respektojmë marrëveshjet”, ka shtuar ai.
Kurti i është kthyer përsëri deklaratës së Veliut për gjendjen e jashtëzakonshme.
“Nuk mundet një ministër t’ia mbajë ison një ideje të presidentit. Ka një zmbrapsje të presidentit, i cili nuk insistoi sot, sikurse dje, për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, ka thënë Kurti.
“Presidenti tha ‘zyrat tona ligjore po merren me këtë punë’, dhe e kishte afër drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili nuk e mbështeti presidentin, se s’ka si ta mbështesë”, ka shtuar ai.
“Presidenti ushtroi një trysni te ekspertët, po ngadhënjeu shkenca mbi politikën”, ka vlerësuar Kurti.
Sipas kryeministrit, Agim Veliu deshi të bëhet “më katolik se papa”. Kurti ka thënë se Veliu deshi “ta shpallte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”.
“Nuk do të ketë ministra në qeverinë time që duan ta shpallin shpalljen. Mund të flasësh, por jo si ministër më. Tash është liria e shprehjes. Por jo si ministër, prandaj e lirova nga detyra”, ka theksuar ai.