Borrell flet me Kurtin në telefon, mësohet për çfarë biseduan
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka biseduar përmes telefonit sot me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, njofton BE-ja.
Sipas njoftimit, ata kanë diskutuar zhvillimet e fundit lidhur me shpërthimin e virusit COVID -19.
“Situata kërkon konsensus, unitet politik dhe qëllim të përbashkët. Përfaqësuesi i lartë nënvizoi se Bashkimi Evropian qëndron krah Kosovës dhe tërë rajonit. Bashkëpunimi i afërt dhe koordinimi, në nivel rajonal dhe me BE-në, janë kyç si përgjigje ndaj kësaj emergjence, me të cilën mund të përballemi vetëm së bashku”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Më tej thuhet se “Përfaqësuesi i Lartë dhe Kryeministri diskutuan edhe për dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
“Përfaqësuesi i lartë përsëriti qëndrimin e BE-së se tarifat duhet të hiqen pasi ato janë një pengesë për bashkëpunimin rajonal, i cili sot është më i nevojshëm se kurrë. Është e rëndësishme për Kosovën që të drejtojë një proces negociator inkluziv me Serbinë në formatin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, citon komunikata e BE-së të ketë thënë Borrelli në takim me Kurtin.