Hoti: Ka qenë e pamundur të gjejmë një gjuhë të përbashkët me Kurtin
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se më përpara bie Qeveria se sa që dëmtohet partneriteti me SHBA-në.
Ai thotë se nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti rreth heqjes së taksës.
“Ka disa javë që jemi duke negociuar, duke e lutur Kurtin që të jemi të kujdesshëm që të ruajmë atë partneritet me SHBA-në, por ka qenë pothuajse e pamundur të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Para se të qëndrojmë në Qeveri është i rëndësishëm partneriteti me SHBA-në, pasi nuk mund të ketë konsolidim i shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Por, edhe vendimi i sotëm ka qenë tejet i ngutshëm, pasi në raste të tilla marrëveshja ishte që të dakordoheshin me kreun e LDK-së. Ndoshta është çështje edhe se si e sheh Kurti qeverisjen”, ka thënë Hoti në KTV.
Sipas tij ajo që ka ndodhur është një mesazh që Kurti i ka dërguar një mesazh Mustafës për vendimin që ka marrë, kurse marrëveshja e thotë qartë se duhet të konsultohet kreu i LDK-së dhe duhet të pajtohen ata për një shkarkim të tillë.
“Kurti ka marrë njoftimin nga kryetari Mustafa që ne gjatë kësaj jave duhet të dakordohemi që të heqim taksën. Ne nuk mund të rrezikojmë që të kemi vendime të tjera drastike nga SHBA-ja, si MCC e Counter Global, pavarësisht vërejtjeve për këtë të fundit që kemi. Natyrshëm ne nuk mund të qëndrojmë në një qeveri që rrezikon partneritetin me SHBA-në. Më përpara bie Qeveria se sa që dëmtohet partneriteti me SHBA-në”, ka thënë ai.
Hoti tha se do ta procedojnë menjëherë mocionin në Kuvend dhe procedurat janë të parapara me Kushtetutë, dhe ato do të ndiqen.
Ai ka thënë se nuk kanë diskutuar për çështjen e zgjedhjeve.
“Ato janë modalitete të tjera (për zgjedhjet), që në këtë fazë nuk i kemi diskutuar, pasi nuk mund të bashkëpunojmë me një partner që sillet kështu. Ne vërtet kemi punuar shumë gjatë këtyre javëve, për të marrë masat ndaj koronavirusit. Qeveria do të jetë në detyrë për të marrë të gjitha masat e nevojshme, deri sa të vijë Qeveria e re, e në këtë mënyrë. Nga sot Veliu e ka liruar detyrën, pasi është shkarkuar”, u shpreh Hoti.