Tomë Gashi e quan propozimin e Thaçit për gjendjen e jashtëzakonshme, dëshirë për të marrë primatin
Avokati Tomë Gashi ka vlerësuar se Kryeministri Albin Kurti ka bërë mirë me shkarkimin e Ministrit të Brendshëm dhe Administratës Publike, Agim Veliun.
Se pse mendon kështu, Gashi ka dhënë një shpjegim në një intervistë.
“Kryeministri Albin Kurti e ka menduar këtë që e ka bërë dhe mendoj që e ka bërë për të mirë të qeverisë, sepse në asnjë variant ne nuk mund t’i kemi dy kryeministra. Ajo që është thënë që do të duhej paraprakisht ta njoftonte kryetarin e LDK-së dhe pasi që ta njoftojë ta marre miratimin e tij, besoj që atëherë do të vinim në një situate hipotetike thuajse kemi dy kryeministra”.
“Sa i përket deklaratave të Veliut, ai ka folur në cilësinë e ministrit dhe nuk ka dhënë mendimin e tij si qytetar i thjeshtë. Me vetë faktin që nuk e ka dhënë mendimin si qytetar i thjeshtë, gjë për të cilën ka të drejtë, ka rënë në kundërshtim me vet deklarimet e kryeministrit dhe të qeverisë pjesë e së cilës është edhe ai vet. Mendoj që kryeministri ndoshta nuk ka pas zgjidhje tjetër veçse të veprojë ashtu siç ka vepruar”.
“Kurti deri më tani ka sjellë rezultate edhe ka dashur t’ju tregojë edhe Isa Mustafes edhe LDK-së edhe amerikanëve edhe gjermanëve edhe secilit që në këtë vend e kemi bash veç një kryeministër, dhe ai është Albin Kurti”.
Gashi shtoi se në çfarëdo rasti kur një ministër është në kundërshtim me vendimet e qeverisë ku bën pjesë, nuk do të mund të kishte ndonjë tjetër zgjidhje.
Avokati gjithashtu komentoi edhe propozimin e Presidentit Hashim Thaçi për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme.
“Kërkesa e Presidentit Hashim Thaçi që të shpallet Gjendje e Jashtëzakonshme është e gabuar, tendencioze dhe për të marre primatin ndaj veprimeve tepër të mira të Qeverise Kurti, që për një muaj e gjysmë ka bërë veprime që disa s’i kanë bërë që 20 vjet”.
“Nëse shpallet Gjendje e Jashtëzakonshme ai trupat e FSK-së duhet me i çu në tërë territorin e Kosovës. Nëse i ndal tek Ibri atëherë ku është territori i Republikës së Kosovës ?! Kjo mundet me qenë faza e parë e ndarjes, jo faktike, por të themi ndarjes vizuele kur trupat ndalojnë në Ibër”.