Njohësi i çështjeve politike: Kurti ka dashtë me shit mend para LDK-së
Të shpallet apo jo gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë për shkak të Koronavirusit, është çështja për të cilën partnerët e koalicionit Vetëvendosje e LDK mund të prishin koalicionin. Derisa Vetëvendosje ka dalë kundër propozimit të presidentit, Hashim Thaçi, drejtues të LDK-së deklaruan se për shkak të pandemisë nga Koronavirusi duhet të merren masa më drastike.
Madje ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu deklaroi se vendi duhet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, duke dalë kështu kundër vendimin që shfaqi kryeministri Albin Kurti.
E kjo deklaratë televizive Veliut i kushtoi me humbjen e postit, pasi i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti sot e shkarkoi.
Shkarkimin e Veliut me arsyen gjoja se ngriti panik në vend, Kurti e ka arsyetuar në një komunikatë të lëshuar për media.
Por këtë arsyetim po e quan si të gabuar njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri.
Ai ka thënë për FaktePlus se kryeministri juridikisht e ka të drejtën të merr vendime për shkarkim për cilin do ministër, i cili nuk respekton vendimet e Qeverisë, por në rastin e sotëm, një gjë e tillë nuk do të duhej të merrej.
“Kryeministri ka drejtë me shkarku cilindo ministër për shkelej të detyrave ose për pretendim të shkeljeve të detyrave dhe ministri tjetër zgjidhet në Kuvend. Juridikisht Kurti ka të drejtë. Por problemi qëndron këtu se e akuzon për ekzagjerim, çështja është se nuk a masë të vlerësimit që do të thotë nuk është e drejtë arsyeja që e ka shkruar. Në komunikatë të shkarkimit thotë se Qeveria po bënë përpjekje me minimizuar dëmet, do me thënë të njëjtin gabim. Minimizim të dëmeve nuk guxon me bë askush,. E të njëjtin gabim gjuhësor ose përmbajtjesor e ka bërë”, tha Tahiri.
Ky vendim erdhi në një kohë kur Kosova po përballet me virusin vdekjeprurës, Koronavirusin, e nga i cili virus tashmë janë infektuar 19 persona.
Vendimi i Kurtit në këtë situatë sipas Tahirit u bë sa për të shitur mend dhe me tregu autoritet para LDK-së.
“Në këtë punë asgjë nuk i është dashur vetëm me shit mend para LDK-së apo me tregu autoritet sepse ky asnjëherë nuk është pajtuar me Agim Veliun dhe nuk ka pas nevojë me shkaku për një deklaratë e cila nuk ka prodhuar pasoja sepse deklarata është nxjerrë prej kontekstit, a vetë komunikata e ka të njëjtin gabim për të cilin akuzon Agim Veliu”, tha Tahiri.
E Tahiri po kritikon edhe mënyrën e njoftimit për shkarkim.
Ai tha se nuk do të duhet të bëhej shkarkimi përmes një komunikate dhe se nuk ishte dashur ta shkarkonte pa një marrëveshje me partnerin e koalicionit.
Tahiri thotë se Kurti dhe Qeveria në këtë rast janë treguar të papjekur.
“Kjo nuk i është dashtë, me këtë duket se Albin Kurti po e din që do me shku edhe pse ky është një supozim që nuk më përket shumë karakterit tim dhe po i vyen një arsyetim që me thënë se e larguan për shkak të parimit ose e hekën pse bën koalicion pa njerëzishëm LDK e PDK. Përndryshe një person i pjekur politikisht nuk ish dashtë me shkarku ministrin në këtë situatë për një deklaratë të tillë televizive që e pati dhe nuk ish dashtë me rrëzu ministrin pa u marrë vesh me partnerin e koalicionit. Sepse LDK nuk është një parti e vogël, por një parti e madhe aq sa Vetëvendosje në këtë koalicionin. Pra në asnjë arsye në asnjë mënyrë nuk është dashtë me shkarku ministrin pa e arritur”, sqaron Tahiri për FaktePlus.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e kryeministrit Albin Kurti për shkarkimin e ministrit nga radhët e LDK-së, Agim Veliut.
Mustafa ka thënë se Kurti nuk është konsultuar me të për këtë vendim dhe se ky vendim është në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit.
“Z. Kurti nuk është konsultuar me mua, prandaj edhe nuk jam pajtuar për shkarkimin e ministrit Veliu. Ky është veprim i njëanshëm, në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit, dhe i papranueshëm për LDK-në”, ka thënë Mustafa.
Edhe nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova ka reaguar.
Rugova për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus tha se Albin Kurti me vendimin për shkarkimin e Veliut nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme ka marrë vendim edhe për vetën e tij. Në këtë mënyrë ai ka lënë të nënkuptohet që ky shkarkim mund të çojë deri në prishjen e bashkëqeverisjes me Vetëvendosje.
E ai madje tha se ky vendim ka ardhur për shkak të paaftësisë së Kurtit për të menaxhuar situatën.
“Në paaftësi me menaxhu situatën e ka shkarkuar Veliun. LDK do ta merr vendimin e saj në kohën dhe momentin e duhur. E kemi kryetarin kemi strukturën do të takohemi dhe do të bisedojmë”, tha Veliu.
Rugova tha se Veliu do të vazhdojë të jetë Ministër i Punëve të Brendshme, duke i kujtuar VV-së se për këtë ekziston marrëveshja politike.
“Agim Veliu është ministër i Punëve të Brendshme do të jetë Ministër i Punëve të Brendshme. Ne jemi kundër kësaj sepse është marrëveshja politike dhe ajo nuk mund të rrënohet në mënyrë të njëanshme sepse ekziston marrëveshja e shkruar. Nëse e ka marrë vendimin e tij Albin Kurti atëherë e kam marrë vendimin e dhe për vete”, th ai për FaktePlus.