Vitia thotë se s’kanë rekomandime për të blerë pajisje që e bëjnë shpejt testin e Covid 19
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar sot para mediave se nuk kanë pasur takim me kompaninë zviceriane që tha se do të sjellë në Kosovë pajisjen që tregon për 10 minuta rezultatin për koronavirus.
Vitia tha se me personin në fjalë nuk kanë diskutuar për mundësinë e sjelljes së kësaj pajisje në Kosovë.
“Deri tani të gjitha testet janë bërë me teknologjinë e fundit sa i përket testitmit të kësaj gjendje, me një saktësi të jashtëzakonshme. Me personin në fjalë …kam pasur edhe disa të tjerë që më kanë shkruar, nuk kam pasur asnjë takim dhe në asnjë moment nuk kemi diskutuar me të për mundësinë e sjelljes, as me kompaninë. Në momentin që do të kemi rekomandime që nuk i japim ne, nëse japin reagime të tilla ne e kemi për detyrë që të procedojmë tutje”, ka deklaruar Vitia.
Agron Selimi ka folur për këtë pajisje duke thënë se së shpejti do të sillet në Kosovë.
‘’Ne përfaqësojmë kompaninë Spring nga Zvicra që është kompani që merret me hulumtimin e këtre gjërave teknologjike. Kjo është një kompani zvicerane që ka partneritet me organizata shtetërore dhe testi bohet njëjtë sikur çështja e diabetit. E merr gjakun dhe e qet në një vend. Është edhe një pjesë tjetër e likidit dhe e testojmë. Është në testim dhe deri tani janë shitur 30 milionë copë. E ka certifikatën e komunitetit Europian dhe i ka të gjitha certifikatat”, ka thënë ai, duke shtuar se ministria e Shëndetësisë është në bisedime me kompaninë.
‘’Ministria e Shëndetësisë është në bisdime drejtpërdrejt me kompaninë. Mendoj se do ta sjellim në javën e ardhshme dhe është e mirë për çdo qytetar. Është e mundshme të bëhet çdo natë. Është optimale për policinë dhe ushtrinë që nuk mund të bëjnë teste dhe të presin rezultate.’’, ka deklaruar Selimi.