Ja kush mund të futet në Kosovë, përmes kufijve
Konform vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrjen e masave shtesë, pas konfirmimit të rasteve pozitive me Coronavirus COVID-19), Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar ka njoftuar se ka filluar zbatimin e vendimit për mbylljen e kufijve për shtetasit e huajë, të cilët duan të hyjnë në Kosovë.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (QKMK) njofton se mbyllja e kufirit nuk vlen për qytetarët kosovarë.
Të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët hyjnë përmes pikave kufitare do t’i nënshtrohen kontrolleve të shtuara mjekësore me urdhrin që ata të vetë-izolohen për 14 ditë.
“Nga data 16 mars 2020 ora 24:00, bëhet pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të udhëtimit ajror në Aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake, dhe emergjencave medicinale (MEDIVAC). Përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga #Kosova”, thuhet në njoftim./FaktePlus