Cilat janë masat e reja të Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen nga koronavirusi
Qytetarëve të Kosovës iu është ndaluar hyrje-dalje në qytetet e Klinës dhe Vitisë e gjithashtu është ndërprerë trafiku ndër-urban në Kosovë, shkruan lajmi.net.
Është marrë vendim të ndalohen fluturimet në Aeroportin “Adem Jashari”, dhe është urdhëruar mbyllja e kafiterive, bareve, pabeve dhe restoranteve.
Është urdhëruar të mbyllen tregjet e kafshëve dhe automjeteve dhe janë urdhëruar kompanitë private të organizojnë punën në atë mënyrë që punëtorët t’i kryejnë punët nga shtëpia.
Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës në ora 19:00 u morën këto vendime:
Ndalimin e hyrje-daljeve të qytetarëve në Komunën e Klinës dhe Vitisë
Ndërprerja me efekt të menjëhershëm e transportit ndër-urban në Kosovë si dhe transportin e organizuar ndërkombëtar.
Mbyllja e kufijve tokësor e udhëtarëve që hyjnë në Kosovë (nuk vlen për shtetasit kosovarë).
Nga data 16 mars 2020, në ora 24 bëhet pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të fluturimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake dhe medicinale, përjashtim bëjnë fluturimet në ardhje, por pa pasagjer (vetëm për të marrë udhëtar).
Mbyllja e kafiterieve, bareve, pabeve dhe restoranteve, qendrave tregtare (përveç barnatoreve/farmacive dhe qendrave me mallra ushqimore) dhe aktiviteve kulturore dhe sportive
Mbyllja e tregjeve të kafshëve dhe automjeteve.
Reduktohet në veprimet esenciale dhe staf esencial çdo institucion publik, përveç sektorit të shëndetësisë dhe sigurisë.
Urdhërohen të gjitha kompanitë private që ta organizojnë punën në atë mënyrë që shumicën e aktiviteteve punëtorët t’i kryejnë nga shtëpia.
U bëhet thirrje të gjitha qytetarëve t’i shmangen aktiviteteve dhe ambientet e frekuentuara me njerëz dhe t’i përmbahen të gjitha masave të rekomanduara nga qeveria dhe masave të rekomanduara nga IKSHPK./FaktePlus